Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen si President i Republikës së Kosovës.

Thaçi ka marrë vendimin pasi është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale e Hagës për krime lufte.

“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent zyrtarisht që gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën ndaj meje”, tha Thaçi në një konferencë për media në Prishtinë.

“Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të dalim faqebardhë”, tha Thaçi në fund të adresimit të tij para mediave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 24 qershor ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Në muajin korrik, Thaçi u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku ka folur, siç ka deklaruar, për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale.