Debati midis prindërve dhe nxënësve të shkollës “Jusuf Puka” të transferuar në shkollën “Bedrie Bebeziqi” ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme. Fëmijët dhe prindërit janë ankuar për kushte jo të përshtatshme të infrastrukturës së shkollës Bebeziqi ku ju duhet që në turnin e dytë të vijojnë procesin mësimor.
Mbi 40 prindër të fëmijëve të shkollës “Jusuf Puka” kanë marrë takim me drejtoreshën e shkollës pritëse “Bedrie Bebeziqi”, Zanmira Metaj, të alarmuar për kushtet në të cilat vijojnë mësimin. Prindërit janë të bindur ashtu si edhe fëmijët, që kushtet në këtë shkollë nuk janë aspak të përshtatshme për vijueshmërinë e një procesi mësimor normal, pasi mungojnë kushtet në klasa. Ashtu si edhe më herët, fëmijët thonë se mungesa e dyerve të tualeteve e bllokimit të tubave hidraulikë, apo klasat e vogla të pandriçuara në mbrëmje janë shqetësimi kryesor.
Drejtoresha e shkollës “Bedrie Bebeziqi”, Zanmira Metaj në një prononcim për mediat ka thënë se ajo si drejtuese e shkollës por edhe stafi pedagogjik, kanë bërë gjithçka kanë mundur për të mirëpritur fëmijët në shkollë, edhe pse në kushte shumë të vështira të infrastrukturës.
"Shkolla 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” mban vendin e parë përsa i përket performancës së procesit mësimor në qytetin e Durrësit, ndërsa përsa i përket kushteve, është e fundit. Godina më herët ka qenë konvikt, më pas është bërë hotel pritjeje për kosovarët, por asnjëherë nuk ka njohur investim, si institucion arsimor."
Klasat janë përshtatur për mësim vetëm falë investimit që ka bërë bordi i prindërve, ndërsa kërkesa e drejtorisë së shkollës për dyer e për rrjetin hidraulik ka mbetur në bashki.
Metaj thotë se shkolla që ajo drejton është në gjendje edhe më të rrënuar se “Jusuf Puka”. "Me fondin e “Jusuf Pukës” të ndërtojnë shkollën tonë, sepse edhe kjo shkollë që prej ndërtimit të saj nukka njohur ansjë investim apo dorë nga e pushtetit," shprehet ajo.
“Prisnim që bashkia të kishte kryer investim në rrjetit hidraulik dhe riparimin e tualeteve për nxënësit, kur nisi viti i ri arsimor. Por puna nuk ka nisur e kemi mësuar se do bëhet tenderi për këtë,” tha Metaj.
Ashtu si shkolla “Jusuf Puka” edhe “Bedrie Bebeziqi” që gjenden në qendër të Durrësit, tregojnë më së miri se investimet në infrastrukturën shkollore janë shumë të ulëta për bashkinë numër dy të vendit.
K.H.





