Deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi theksoi nga foltorja e Kuvendit se Shqipërisë i duhen sot politikanë të mençur, si e vetmja mënyrë për të vijuar reformat e nisura.
Teksa u ndal te projektrezoluta e hapjes së negociatave me BE-në, Mesi tha se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Europës është i gjatë, por jo i pamundur. Sipas saj, Shqipëria është me fat që mbështetet nga dy aleatët kryesorë të BE-së, siç janë Franca dhe Gjermania. Mes të tjerash, Senida Mesi, i ftoi vendet e tjetra të BE-së që të rekomandojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë.
“Rrugëtimi është i gjatë, por jo i pamundur. Kam besimin se do ia dalim, falë edhe dy aleatëve të Europës dhe SHBA. Ne do t’i kemi ata në krahë për të ndihmuar në realizimin e reformave që keni nisur. Sot është koha për politikanë të mençur dhe jo më për politikanë të fortë. Njerëzit që zgjedhin të votojnë politikanët e korruptuar, nuk janë më viktima, por janë bashkëpunëtorë. Unë besoj se ndershmëria është politika më e mirë. Ndaj sot ne vijmë së bashku si maxhaornca, por edhe me opozitën në Kuvend për projektrezulutën, e cila kalon interesin politik të çdo partie dhe përfaqëson interesin e të gjithë shqiptarëve. Projektrezoluta i drejtohet edhe vendeve të BE, që në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian, të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë”, tha Senida Mesi.





