Studentët e UAMD-së kanë përsëritur edhe një herë sot thirrjen e tyre për t’iu bashkuar protestës që do të zhvillohet ditën e nesërme (të hënën, 28 janar) në orën 08:30 në kampusin e Spitallës.
E paralajmëruar prej të premtes së 25 janarit, sot rikujtuan edhe një herë çfarë do ndodhë nesër përmes një karikature të veçantë të postuar në faqen “Studentët aktivë të UMAD-së”, ku shkruhet “të gjithë bashkë për të mbrojtur të drejtat tona”, ndërsa gishti tregues i njërës dorë shtyp ligjin e dështuar (siç e quajnë ata) të Arsimit të Lartë.
Ndryshe nga protestat e tjera të zhvilluara deri më tani prej 4 dhjetorit të 2018-ës, studentët më datë 28 janar do të nisën në orën 08:30 nga Kampusi e më pas do të marshojnë drejt portit në shenjë simbolike, për të treguar se asnjë prej tyre nuk do të largohet nga vendi, por se duan një Shqipëri më të mirë, një jetesë cilësore, një arsimim cilësor.





