Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Komisionit Hetimor parlamentar që të thërrasë kreun e shtetit për t’u pyetur më 6 shtator, në kuadrin e procesit të nisur nga mazhoranca për ta shkarkuar nga detyra. Me një mesazh në Facebook, Meta i ka kthyer këtë përgjigje mazhorancës:

“Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave më 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë.

Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj.

Kriteret e Kopenhagenit nuk janë shfuqizuar ende nga BE, ndaj respektimi i tyre është i pashmangshëm nëse ka mbetur sadopak vullnet politik për çeljen e negociatave më 18 tetor. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!”