Ofendimet që bëri me megafon Mirlind Daku pas sfidës me Kroacinë, pritet t’i kushtojnë shumë.  Sulmuesi dhe gjithë tifozët shqiptarë janë me sytë nga UEFA, për të mësuar se çfarë do të ndodhë me të. Por kur jemi në pritje të një vendimi nga institucioni më i lartë i futbollit, për Dakun vjen një tjetër vendim.

Rubin Kazan nuk ka toleruar aspak veprimin e lojtarit shqiptar, i cili me megafon ofendoi serbët dhe maqedonasit. Sulmuesi kërkoi shpejt falje për veprimin e tij, ndërsa theksoi se ishte përfshirë më shumë seç duhet nga emocionet pas barazimit me Kroacinë.

Kjo falje nuk i ka bërë “punë” sulmuesit, pasi skuadra ruse nëpërmjet një komunikate zyrtare ka bërë të ditur se do të ketë masë disiplinore dhe gjobë ndaj tij. Dënimi dhe gjoba do të bëhen të ditur në momentin që Daku do të rikthehet në klub pas anagazhimit me Kombëtaren shqiptare në Euro 2024. Mbetet të presim për të mësuar se çfarë do të ndodhë me 26-vjeçarin dhe cili do të jetë vendimi për të.