Kryeministri Edi Rama thotë se po vijon puna për rindërtimin e qendrave të kontrollit teknik të automjeteve.

Ai ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook pamje nga puna në Qendrën e Kontrollit Teknik në ish-NSHRAK në Tiranë.

Kreu i qeverisë thotë se po punohet për përmirësimin rrënjësor të kushteve të shërbimit për qytetarët dhe të punës për personelin.

“Kjo është Qendra e Kontrollit Teknik, Tirana 2 (NSHRAK), ku punohet për përmirësimin rrënjësor të kushteve të shërbimit për qytetarët dhe të punës për personelin, rritjen e sigurisë në proceset teknike, modernizimin e sistemit të kolaudimit të automjeteve. Pa rritur tarifa, përkundrazi duke i përgjysmuar ato”, shkruan Rama.

Po ashtu ai përmend edhe “koncesionin e kolaudimit” të cilin e konsideron si famëkeq dhe thotë se “thithi shumë para nga xhepi i qytetarëve po as shërbime, as investime, as gjë prej gjëje nuk u ktheu mbrapsh”.