Këtë herë Eric Thohir e ka përjetuar shumë keq. Nëse në shumicën e rasteve presidenti i Interit i ka dalë në mbrojtje trajnerit Mancini pas një disfate të skuadrës zikaltër nuk mund të thuhet e njëjta gjë pas humbjes së fundit që pësoi Interi ndaj Juventusit.
Indoneziani ka mbetur me të vërtetë shumë i zhgënjyer nga paraqitja e ekipit, dhe me vendin e tretë që tashmë ngjason më shumë me një mirazh sesa me një objektiv për tu arritur, manjati aziatik ka vendosur në shënjestër trajnerin Roberto Mancini. Tekniku dhe futbollistët tashmë janë me shpatulla pas murit dhe nuk kanë sesi të të justifikohen, pasi skuadra në vetëm 2 muaj ka hedhur në erë një sezon të tërë që për Interin nisi në mënyrën më të mirë. Fajtori kryesor sipas Thohir për këtë situatë që po kalon Interi është Mancini kjo për vetë faktin se trajnerit iu plotësuan të gjitha dëshirat pasi klubi i vendosi në dispozicion pjesën më të madhe që futbollistëve që dëshironte në merkato.
Për të akuzuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë Mancinin dhe futbollistët fillimisht menduan drejtori sportiv Piero Ausilio dhe zëvendëspresidenti Javier Zanetti që në prononcimet e tyre për mediat pas humbjes ndaj Juves theksuan se të gjithë në ekip duhet të japin më shumë nga vetja pasi këta lojtarë po mbajnë veshur fanellën e një klubi të madh si Interi. Kaq mjaftoi që të topi të kalonte te presidenti Thohir.
Nëse bazohemi te ato që shkruan Gazzetta Dello Sport ky i fundit i ka vendosur një ultimatum trajnerit Mancini. Indoneziani kërkon që skuadra të ndryshojë menjëherë faqe duke regjistruar minimalisht 4 fitore në 5 ndeshjet e rradhës të kampionatit.
Situata në shtëpinë zikaltër nuk është aspak e qetë, sidomos kur shikon që Mancini edhe pse ka në ekip plot 8 sulmues në një sfidë shumë delikate sic ishte ajo ndaj bardhezinjëve hodhi në fushë 8 lojtarë me tipare mbrojtëse, pasi mesfusha përbëhej nga tre shkatërrues si Kondogbia, Medel dhe Melo. Trajneri nuk ka më besim te lojtarë si Jovetic, Ljajic, Perisic e Eder lojtarë që u afruan te Interi me dëshirën e tij, dhe e gjithë kjo të bën të mendosh që projekti që kishte klubi me teknikun italian tashmë mund të konsiderohet i dështuar.
Përveç lojës këtij Interi tanimë i mungojnë edhe rezultatet. 5 pikë është diferenca në klasfikim me Fiorentinën dhe Romën dhe nëse zikalërit nuk arrinë të sigurojnë dot kualifikimin në Champions League, e ardhmja e Roberto Mancinit në stolin e Interit do të vendosej në pikëpyetje të madhe.