Kroçera  “Thomson Celebration” ka prekur brigjet e Durrësit mëngjesin e kësaj të mërkure. Plot 1257 turistë të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë qytetin 3 mijë vjeçar për t’u njohur me objektet e veçanta të trashëgimisë kulturore. Një pjesë e tyre kanë udhëtuar me autobusë për të vizituar qytete si Kruja, Tirana dhe Berati.

Pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga Britania e Madhe, ndërsa nuk mungojnë edhe turistët nga Irlanda, Zelanda e Re, Kanadaja, Australia, Gjermania dhe Afrika e Jugut.

Gjatë turit 8-ditor kroçera ka udhëtuar drejt porteve në Dubrovnik, Koper, Venecia, Rijeka, Korfuz, ndërsa pas Durrësit në etapën e fundit, do të lundrojë përsëri për në portin e nisjes, Dubrovnik.

Kroçera “Thomson Celebration”  ka një gjatësi prej 215 metrash dhe tonazh të përgjithshëm 34 mijë ton, ka flamur maltez. Në bordin e saj punon një personel prej 532 personash. Është hera e katërt që kjo anije turistike ankorohet në portin e Durrësit.

“Thomson Celebration” është kroçera  e 11-të e këtij sezoni, ndërsa 15 kroçera të tjera me turistë nga i gjithë globi, pritet të mbërrijnë në Durrës deri në fund të muajit nëntor.