NGA: ILIR ÇUMANI*

Janë me qindra e mijëra bashkëmoshatarë miturakë të pafajshëm si Arditi në të gjithë Shqipërinë, të cilët po heroizohen përballë “kuçedrës” së shëmtuar: VARFËRISË dhe URISË…Një tragjedi shekspiriane “Të rrosh apo të mos rrosh” e ditëve të fundit ka ndodhur në landfillin e kryeqytetit pranë varrezave të Sharrës dhe la pa fjalë gjithë njerëzinë…Një adoleshent 17-vjeçar, biri i një punonjësi të Policisë së Shtetit, në përpjekje për t’iu bërë krah prindërve për të kompensuar në mënyrë modeste të ardhurat e pamjaftueshme të familjes, duke punuar nga mëngjesi deri në mbrëmje mes të nxehtit përvëlues të korrik-gushtit, papritur bie pre e fatalitetit, i masakruar dhe i copëtuar nga dhëmbët e një përbindëshi metalik (ekskavator), përpunues i mbeturinave.

Tirana dhe e gjithë Shqipëria prej afro tri dekadash tenton të prekë ëndrrën e qytetërimit perëndimor përmes përpjekjeve të vazhdueshme të transformimeve të mëdha në fushat e ndryshme të jetës politike, kulturore, ekonomike e sociale të vendit, por nga ana tjetër shfaqet dhimbshëm pjesa tjetër e medaljes: një tjetër sfond i trishtë, një vend ku çuditshëm dhe në mënyrë cinike luhet “balloja” e përditshme e luksit dhe e mjerimit. Protagonistët e vërtetë të kësaj balloje janë: PUSHTETI nga njëra anë, POPULLI-VOTUES nga ana tjetër. Ky i fundit, i mashtruar dhe i lodhur, i varfëruar dhe i uritur, i drobitur dhe i nëpërkëmbur nga demagogjia, hipokrizia dhe makutëria e politikës së paskrupullt që ditë e natë vërshon ekraneve pafund të televizioneve dhe u bie tamtameve “për reformën në drejtësi”.

Nëse do të ishte gjallë Migjeni, nuk e di se çfarë elegjie do t’i shkruante legjendës së mjerimit dhe skllavërimit të kohëve tona, si do t’u këndonte Lulëve të Vocërr të epokës moderne në “Rilindjen” që po jetojnë sot shqiptarët e shpresëvrarë nën udhëheqjen e ndritur të sundimtarëve luksokratë…(!?)

Gjithsesi, u prehsh në paqe o engjëll – hero i varfërisë dhe i mjerimit absurd! Nuk ishte aspak faji yt, që vendi ku u linde dhe nuk munde që të rriteshe normalisht, s’të la pakëz hise nga ajri dhe dielli i përbashkët, që edhe ti të jetoje jetën tënde të cilën askujt s’ia pate borxh.

Atë jetë që ZOTI ta fali me zemërgjerësinë dhe dashurinë e Tij, DJALLI ta rrëmbeu tinëzisht, pabesisht dhe padrejtësisht, pa llogaritur se nga mosha nuk bëje pjesë në kontingjentin e mëkatarëve!

Veç të lutem, kur Zotin ta takosh atje lart, i thuaj se mëkati i Evave dhe Adamëve që sundojnë dhe drejtojnë “kopetë” miliardëshe në tokën që na le si trashëgim, ka marrë fuqinë e Satanait. Ai mëkat ka përmasat gjigante të një komete shkatërruese; është bërë i papërballueshëm, i frikshëm, fantazmagorik….Vetëm një fuqi e jotja do të mund ta zhbënte atë! Ndaj të lutem, engjëll i mirë, thuaja këto Zotit, pastaj mbështillu mirë në duart e tij dhe fli i qetë!