Nga  Gladiola  BUSULLA

Durres 14 shkur 2014 – Lulet janë një thesar i çmuar i natyrës. Me ngjyrat dhe aromën e tyre, na gjallërojnë dhe  na mbushin me lumturi. Gjuha e tyre është autentike; floriografia vjen si një mjet komunikimi kriptologjik që zbërthen poliseminë e luleve, që aq shpesh kanë bërë të harrohen zënkat, mëritë, kanë ëmbëlsuar ethet e pritjes, kanë zbukuruar altarët, kanë shprehur dhembje në funerale e kanë përgëzuar arritjet e personale e shoqërore. Të paqta, poetike, emocionuese dhe gjithëpërfshirëse: lulet ju mundësojnë të hyni  në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën, duke ju dhënë aromën e pakrahasueshme të trëndafilit, bukurinë marramendëse të tulipanit, madhështinë e lulediellit, ose modestinë e një lule vjollce. Lulet  kanë pasur gjithmonë një rëndësi jetike në rrugën e komunikimit midis njerëzve, nga Lindja në Perëndim. Gjatë shekujve, lulet kanë qenë mënyra më e mirë për të përcjellë mesazhe të veçanta. Është e bukur dhe e dobishme të njohim këtë trashëgimi simbolike, për të dhuruar lulet e duhura në çdo rast dhe për t'i dhënë vetes forcë në manifestimin e ndjenjave. Lulet shërbejnë për të bërë deklarata dashurie, urime festive,  për të shprehur pasion, xhelozi, posedim, butësi, miqësi etj.

“Thuaje me një lule” është  motoja e trashëguar  nga brezi në brez, e cila ka rezultuar gjithnjë e suksesshme për të shprehur ndjenjat pa fjalë. Simbolika e luleve është një art më vete, sa i bukur aq dhe  intrigues. Të dhurosh lulet e duhura do të thotë të dërgosh mesazhin e saktë, i cili përkufizon plotësisht gjendjen tënde shpirtërore.

Psh., ndjenja e zhgënjimit shoqërohet me karafilë të verdhë; dinjiteti me manjola; shkëputja me lule borë; dashurisë besnike i shkojnë për shtat margaritat; pritjes i korrenspondojnë – anemonat; miqësisë së sinqertë- akaciet e bardha; dashurisë së përjetshme – lulja mosmëharro; bukurisë së femrës- trëndafilët e kuq; pafajësisë – zambaku i bardhë; indiferencës, mosbesimit, krenarisë – gladiola; integriteti – aloe; lirisë – mimozat; gjallërisë – lulëkuqet; paqes – krizantemat; simpatisë-gardeniat; egoizmit – narcizi; sensualitetit, pasionit,sqimës – orkidea; fyerjes e zemërimit – petunia; tradhëtisë – lulja e shtogut; shpresës e mëshirës – lule pishe; mikpritjes – lule lisi; shenjë mbarësie – ylli i krishtlindjes etj.

Në se dëshiron të shqiptosh vetëm dy fjalë që përmbajnë esencën e të gjithë ndjenjës sate, pra “Të dua”, atëherë bëje me tulipanë. Ndoshta për shkak të legjendës më të lashtë (me origjinë persiane) që lidhet me këtë lule, e cila argumenton se tulipani ka lindur nga pikat e gjakut të një të riu, i cili është vetëvrarë nga një zhgënjim dashurie. Në se dëshironi të përçoni mesazhe e lajme të mira apo të uroni dikë që po ndërmerr inisiativa të rëndësishme, do t’ju duhen shumë irisë. Por bëni kujdes me ngjyrën e tyre ! Në se janë të verdhë, mbartin kuptimin “Po digjem nga pasioni për ty”!

Dhe në letërsi, muzikë, pikturë, kinematografi etj., është tejet i lëvruar përdorimi i luleve. Shekspiri e përdor fjalën “lule” më shumë se 100 herë në veprat dhe sonetet e tij. S’mund të lëmë pa përmendur romanin e ekranizuar të John Galsworthy –t “Lulet e mollës”, poemën “Lulet e verës” të Naim Frashërit, “Lulet e ftohta të marsit” të Kadaresë; këngët e mirënjohura qytetare “Lulja e majit”, “Lule borë”;  pikturën “Magnolia mbi kadifenë e kuqe” të Martin Johnson Heade apo motivet e magjishme floreale në tablotë e Gustav Klimt-it etj.

Për tw konkluduar pwrimtimin tim, nisur nga simpatia e madhe pwr lulet, (dhe pwr shkak tw emrit) s’mund të ketë frazë më të goditur se aforizmi i mëposhtëm;

Tri gjëra na kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.