Thomas Tuchel thotë se nuk mendon se është “problemi i vetëm” te Bayern Munich, pasi u njoftua se do të largohet në fund të sezonit.

50-vjeçari, do të largohet nga Bayern një vit më herët se sa ishte planifikuar si pjesë e “një riorganizimi sportiv” në klub.

“E vetmja gjë që ka rëndësi tani është se ka qartësi, e cila sjell liri dhe është e mirë për ndeshjet dhe stërvitjen. Liri gjithashtu për trajnerin në mënyrën se si të veprojë. Nuk duhet të mendoni për pasojat afatgjata të zgjedhjeve tuaja. Mund të jeni pak më të pamatur,” tha Tuchel, i cili u emërua në mars 2023.

Trajneri gjerman, i cili fitoi trofeun e Champions League me Chelsean në vitin 2021, udhëhoqi Bayernin drejt titullit të Bundesligës sezonin e kaluar.

Por, duke kërkuar titullin e 12-të radhazi të Gjermanisë këtë sezon, ata mbeten pas liderëve të pamposhtur Bayer Leverkusen me tetë pikë me 12 ndeshje të mbetura.

Largimi i Tuchel u konfirmua të mërkurën pasi Bayern pësoi humbjen e tretë radhazi në të gjitha garat, duke u mposhtur nga Bochum 3-2 të dielën.

“Nuk ka rëndësi nëse e kuptoj vendimin e klubit apo nëse jam i kënaqur me të”, tha Tuchel, skuadra e të cilit luan me RB Leipzig të shtunën.

“Nuk mendoj se jam problemi i vetëm, por e pranoj përgjegjësinë time. Nuk jam i kënaqur me mënyrën se si luajmë dhe kam qenë i pakënaqur për shumë kohë. Tani kemi një situatë të re. Situata është zgjidhur dhe komunikuar, por nuk mendoj se jam problemi i vetëm”, shtoi Tuchel.