“Thyeje heshtjen jo më dhunë”! Me këtë mesazh është mbyllur fushata sensibilizuese e veprimtarive 16-ditore të shoqatave, organizmave shtetërore të Bashkisë dhe Prefekturës kundër dhunës ndaj grave. Takimi përmbyllës është zhvilluar në Pallatin e Kulturës, ndërsa të ftuarit kanë qenë të shumtë. Dy sekretarët e përgjithshëm të prefekturës dhe të qarkut, kanë sjellë mesazhet e tyre. Shyqyri Ballgjini i Prefekturës, pohoi jo pa shaka, se është në minorancë gjinore në familjen e tij, i rrethuar nga katër femra.
Kundër dhunës u shpreh edhe Artan Zaimi, sekretar i këshillit të qarkut, me mesazhin se “kush është burrë, nuk ushtron dhunë mbi gratë, as në familje e as në ambientin e punës apo më gjerë”.
Nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Naim Frashëri” në Durrës, kishin përgatitur një minitelefilm, me mesazhin se dhuna e çdo forme duhet denoncuar.
“Ejani në polici, ne jemi në gatishmëri 24 orë. Denoncojini rastet e dhunës, dhe kështu parandalojmë jo vetëm dhunën në familje, por edhe krimet brenda familjes”, ishte mesazhi që dha punonjësja e policisë së sektorit të trajtimit të dhunës. Në takim referuan edhe përgjegjësja e sektorit në bashki, etj.
741 raste dhune në familje janë regjistruar në vitin 2014, 574 prej të cilave kanë marrë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje. Bie në sy fakti se denoncimet, në 90% të rasteve bëhen nga gratë në qytet, ndërsa pjesa tjetër i përket periferisë dhe fshatit. Në 6-mujorin e parë të 2015-s, në gjykatë janë dhënë 253 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje, ku 34 i përkasin periferisë, dhe 14 fshatit.
Në vitin 1999 kanë qenë Kombet e Bashkuara që kanë njohur në mënyrë zyrtare 25 nëntorin si ditën kundër dhunës ndaj grave.