Dy persona janë vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi kanë vjedhur me thyerje një dyqan dhe kanë kundërshtuar e kanosur punonjësit e policisë në krye të detyrës.
Policia e Krujës njofton se janë arrestuar në flagrancë D. Haka 34 vjeç dhe B. Sh. 17 vjeç, të dy banues në fshatin Zezë, Krujë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit F.H. 24 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë.
Bëhet me dije se shtetasit e mësipërm, më datë 04.04.2017, gjatë natës, në fshatin Nikel, Krujë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje dyqanin e mishit në pronësi të shtetasit G.M. 25 vjeç, ku kanë marrë rreth 90 000 lekë mish.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre dhe në mjetin tip Golf (në pronësi të shtetasit D. Haka) u gjetën disa mbetje të produktit të mishit.
Autorët kanë penguar, kundërshtuar dhe kanosur punonjesit e policisë në kryerjen e detyrës.
Shtetasit e mësipërm janë persona me precedentë penale të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale"Vjedhja”në bashkëpunim, “Kanosja”dhe” Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”parashikuar në nenet 134, 25, 84 dhe 236/2 të Kodit Penal.





