Angelina Jolie thyen heshtjen 10 muaj pas divorcit me Brad Pitt, dhe rrëfen arsyet që e shtynë të ndahet nga bashkëshorti i saj.

Ylli i kinemasë thotë për revistën “Vanity Fair” se gjërat nisën të shkojnë keq në verën e vitit 2016. Jolie mohon se arsyet e ndarjes nga Brad Pitt ishte stili i tyre i jetës. “Janë thjesht gjërat që na sjell fati përpara”, tha ajo.

Aktorja hollivudiane rrëfen se kjo ka qenë periudha më e vështirë e jetës së saj, në veçanti në marrëdhënien me 6 fëmijët. “Ata duhet të kuptojnë se gjithçka shkon mirë, edhe atëherë kur kjo nuk është e vërtetë. Më mirë të qaj në dush se përpara atyre”, thotë Jolie.

42-vjeçarja pranon se stresi që i shkaktoi divorci apo hipertensioni, i kanë shkaktuar dobësim të muskujve të fytyrës, që i kanë provokuar paralizë të një pjese të saj. Jolie thotë se ajo po trajtohet me agopunturë për shërimin nga kjo diagnozë.

Angelina Jolie dhe Brad Pitt u lidhën në 2004-n dhe lidhën kurorë pas 10 vjetësh, në gusht të 2014-s.