Polici e Shtetit ka gjobitur 10 persona të cilët kanë thyer orarin e karantinës duke luajtur futboll në pyllin e Sodës në Vlorë.

Mësohet se këto persona do të qëndrojnë të izoluar per 14 ditë dhe do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e strukturave policore.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se është pezulluar nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll.

NJOFTIMI I POLICISË

Thyen orarin e karantinēs duke luajtur futboll në një fushë futbolli në pyllin e Sodës, Vlorë, ndëshkohen me masë administrative 10 persona.

Karantinohen për 14 ditë, të 10 personat që u kapën duke luajtur futboll, të cilët do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e Policisë.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullohet nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll.

Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të Policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara, pasi konstatoi personat dhe nuk mori masë administrative ndaj këtyre shtetasve.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon edhe njëherë për qëndrim në banesë dhe respektim të masave kufizuese, duke bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Durim, bashkë do ia dalim!