Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar pas protestës së sotme të studentëve para institucionit që ajo drejton në vendin tonë.

Në një postim në Facebook, Shahini shkruan se protesta ishte trishtim ndërsa studentët protestues i quan një grup invidësh partiakë.

POSTIMI I PLOTË

Ishte një trishtim për mua, por edhe një cënim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, që sot para Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune.

Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën #Paktit kuptimplotë për Universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare.

Lajmi i mirë është se sot Studenti Protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me “protestën” e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar.

Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e #PaktitpërUniversitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën digjitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike.