Një infermier në spitalin e Durrësit është goditur në krye të detyrës nga një 30-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr.8, në ambientet e Spitalit Rajonal.

Sipas policisë, autori Altin Allka 30 vjeç, banues në Durrës, ka goditur për shkak të detyrës shtetasin A.R. 38 vjeç, banues po në Durrës, me detyrë infermier.

Por Allka nuk është ndalur vetëm me dhunimin e infermierit, por ka dëmtuar edhe derën e sallës së operacionit, duke shkaktuar panik dhe frikë në radhët e pacientëve dhe bluzave të bardha.

Policia e Durrësit thotë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

30-vjeçari është arrestuar në flagrancë, nën akuzën e dy veprave penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës” parashikuar në nenet 237 dhe 150 të Kodit Penal.