Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit festoi këtë të mërkurë 70-vjetorin e themelimit të tij. Ishte 11 janari i vitit 1953, kur në godinën e ish-kinema “14 nëntori” nisi rrugëtimi i gjatë i brezave të tërë aktorësh, që lanë gjurmën e tyre në skenën e këtij teatri dhe jo vetëm.

Me dekada të tëra mbi supe, teatri i Durrësit erdhi në këtë përvjetor me një bagazh artistik për t’u pasur zili. I katërti teatër profesionist në shkallë vendi, e nisi aktivitetin artistik me një trupë prej 14 aktorësh profesionistë me pjesën teatrale “Vajza nga fshati”.

Me një prelud dokumentar, të përgatitur nga regjisorja Driada Dervishi dhe Julian Shyti publiku në sallë pati mundësi të njihej me historikun e gjatë, të vështirë dhe të bukur të 7 dekadave jetë të trupës teatrore të Durrësit.

Me energjinë e pashtershme që i karakterizon, 4 ikona të skenës durrsake si Aishe Stari, Hysen Bashhysa, Xhelal Tafaj dhe Sanie Hoti interpretuan edhe njëherë para publikut, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme.

Aktori i mirënjohur Mirush Kabashi gjatë fjalës së tij kërkoi që teatrit të Durrësit t’i jepet titulli “Nderi i kombit”.

Ndërsa regjisori Haxhi Rama kërkoi më tepër vëmendje ndaj artit.

Aktori Xhelal Tafaj kujtoi një detaj të trishtë të historisë së këtij teatri, kur trupa profesioniste që në vitet 80 numëronte 32 aktorë, një dekadë më pas kishte vetëm 3 të tillë.

Në këtë përvjetor u nderuan me çertifikatë mirënjohjeje 16 aktorë e regjisorë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. E emocionuar, regjisorja e mirënjohur Driada Dervishi tha se ky vlerësim vjen në nderim të punës dhe përkushtimit të tyre.

Në fund, nuk mund të mungonte torta e kësaj ditëlindjeje mjaft të rëndësishme.

Artistët durrsakë të nderuar me çertifikatë mirënjohjeje:

Lumturi Dashi

Liri Lushi

Katerina Kote

Drita Nikolla

Pëllumb Deçolli

Filika Ujkaj

Terezina Dema

Rexhina Shiroka

Hysen Bashhysa

Xhelal Tafaj

Sanie Hoti

Edmond Agolli

Ali Bega

Mario Ashiku

Sulejman Kokomani

Milto Profi

M.B.