Me debate të forta është shoqëruar seanca e sotme plenare. Ishte Taulant Balla i cili iu drejtua ish-kryeministri Berisha duke i thënë: Ti Sali kësaj pjese do të vazhdosh t’ia hash …. gjithmonë.

Kjo deklaratë erdhi pasi ish-kryeministri Berisha iu drejtua mazhorancës me termin “hajdutë”.

“Ti Sali do vazhdosh t’i hashë atë që s’thuhet Partisë Socialiste. Ironia më e madhe e kësaj foltoreje është që të vijë Sali Berisha dhe të thotë se drejtësia vonon por nuk harron, që Sali Berisha të marrë nëpër gojë edhe Vangjush Dakon i cili ka shpërdoruar detyrën për një leje pallati kur ky ka vrarë duke shpërdoruar detyrën. Unë nuk e di se çfarë bën Prokuroria e Tiranës duke qenë se atje mbahet peng dosja e Aleks Nikës dhe në dosje thuhet se është një vrasje pa autor, kur vetë Sali Berisha ka thënë në këtë foltore por edhe nëpër studio televizive që e ka vrarë ai, ka thënë vetë që ka qenë ai që ka dhënë urdhër që të qëllohet”, tha Balla.

Më pas ka reaguar Flamur Noka i cili kërkoi përjashtimin e Ballës nga salla e Kuvendit.

“Merr masa për ta përjashtuar! Merr masa kryetare. Jeni nënë dhe gjyshe, nuk besoj se jeni shurdhe. Është fjalë që nuk mund të përdoret zhargon, ndërhyni dhe merrni masa, të përjashtohet urgjentisht si alabak, ordiner, për gjuhën e përdorur. Unë e kuptoj se ju mund të jeni mësuar, por kjo është e papranueshme”, i kërkoi deputeti demokrat, kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ndërkohë, Balla replikoi duke thënë se nuk ka thënë ndonjë fjalë jo etike dhe se “atyre që u shkon mendja tek ajo fjala kanë probleme të tyre mendore”.

“Për reagimin e atyre që janë ngjitur pas këpucës së Saliut dhe iu shkon mendja tek ndonjë fjalë jo etike. Por unë në fjalën time nuk kam përdorur ndonjë fjalë jo etike. Atyre që u shkon mendja tek ajo fjala kanë probleme të tyre mendore. Ajo që po u them është se Berisha Partisë Socialiste, edhe 10 kanë kaluar, edhe 10 do kalojë, do vazhdojë ti bëjë atë që ka marrë si përgjigje përgjatë këtyre viteve. Kaq kisha”, përfundoi ai.