Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është pyetur nga gazetarët lidhur me debatin e djeshëm në Kuvend me deputetin Agron Shehaj.

I pyetur lidhur me këtë deklaratë, Manja tha se gjithçka i takon një debati politik që mbetet brenda sallës së Kuvendit.

“Dje ishte dje dhe gjithçka i takon atij debati politik të zhvilluar brenda asaj salle. Sot është ditë e re, në prag të festës së Pashkës. Kam dëgjuar sot nga stafi im që përgjatë shumë emisioneve ka vazhduar të trajtohet kjo gjë edhe në media.

Personalisht më bërë pak nostalgjik se më ktheu si sikur me ato ankesat që kishim kur ishim në klasë të parë dhe shkonim për ti zgjidhur, mosha bën të veten, koha bën të veten, s’kthehemi dot më pas, debati është tërësisht politik brenda sallës së Kuvendit, dua ta mbyll me një urim për festat”, tha Manja për gazetarët.

Kujtojmë se ishte deputeti Agron Shehaj i cili ka akuzuar ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja se me amnistinë që miratoi liroi persona të dënuar për korrupsion nga GJKKO dhe se për këtë duhet të jepte dorëheqjen.

Pas akuzave të Shehajt, ministri Manja nga vendi i bëri me dorë se do t’i shkul veshët.