Nga Ilir Paja

Këtë shkrim po e nisim me një shprehje të Viktor Hygosë, i cili ka thënë: “Të ngresh një shkollë, ke mbyllur një burg”! Kanë kaluar mbi tetë vite, që arsimi para universitar ka përjetuar njëherësh dy realitete, atë të provimit të lirimit dhe atë të maturës shtetërore. Duhet thënë, se në këtë mbërritje kohore sa një dekadë, ka patur arritje, por dhe ulje të seriozitetit të këtyre proceseve.

Arritjet e saj kanë qenë në prekjen e një vlerësimi te drejtë, duke patur parasysh se në çdo vit, kontestimet e maturantëve,nuk i kanë kaluar nga 400-600 ankimime, po të kemi parasysh një provim ku marrin pjesë në çdo brez shkollor mbi 40.000 maturantë. E gjitha kjo punë, si një mekanizëm i ngjashëm me një kompleks “industrial”, ka çaluar vetëm në një “ndërgjegje” të vdekur; atë të mësuesëve administrues!…

 Kështu, me ndryshimet e këtij viti, ku vetë ministrja, znj. Lindita Nikolla e tejkaloi shkuarjen e saj përtej një “fushate” elektorale, u ul dhe bisedoi në çdo qark, deri dhe komunë të Republikës, mbi nevojën e urgjentë të një lindjeje të Re, mbi këtë proces. Dhe, kudo ku stafi i saj bisedoi me nxënës, stafet e Drejtorive Arsimore Rajonale, mësues, prindër, të gjithë kanë dhe kishin shqetësimin e vetëm, atë të një provimi të ndershëm, pa lënë hapësira kopjimi, që për mua ngjajnë me të bërit kompromise. Dhe po të citojmë realistin Balzak, ai thotë: “Kompromiset burojnë nga mediokriteti, i cili një ditë ngre një shoqëri korruptive”. Do të mjaftonte ky citim, që të kuptojmë realisht se çfarë ka ndodhur…

Përpos të gjithçkaje të së shkuarës, jemi tani përpara një realiteti, i cilësuar Rilindës! Ka shumë arsye, që ky proces të jetë jo vetëm i arrirë, por mbi të gjitha i drejtë në ndershmërinë e të mësuarit të nxënësit tonë! Përpara disa ditëve, në një udhëzim nga stafi ministror u përcoll një kërkesë, ku drejtoritë e shkollave të “kalojnë” një provë para mature, ku lëndët e provimit bazë, si letërsia dhe matematika, të realizohen me të gjitha strukturat logjistike të një realiteti deri në “imitim” të procesit të maturës shtetërore. 

Atëherë, stafet lëndore të shkollave, përzgjodhën ose modifikuan një nga testet e zhvilluara në vite, vendosën ndarjen e nxënësve me nivelin e notës mesatare në tri vite (këtu po bëj një shkëputje mbi këtë para provim; në shkollën tonë Naim Frashëri të qytetit të Durrësit, njëra nga shkollat,që në tetë vite të këtij procesi, ka arritur të renditet në vendin e 3, 4, 5, në rang vendi në raport me shkollat e të gjithë Republikës, kur dihet se arsimi para universitar i mesëm sot numëron rreth 520 gjimnaze, si publike dhe jo publike, Ne e bëmë këtë ndarje nivelesh dhe kuptuam se: jo vetëm procesi ia doli të jetë në kufijtë e së drejtës dhe ndershmërisë, por mbi të gjitha, vënia në të njëjtat ambiente të nxënësve me të njëjtën notë, ia mbërriti të pranonim të gjithë një postulat që nga bota antike: “T’ia japësh nxënësit dhe jo Çezarit!”).

Në këtë realitet të “ri”, ne nuk ndjemë nga asnjë nxënës, qoftë dhe pakënaqësinë më të vogël, sepse të gjithë ishin dakord me këtë ndarje. Kështu nxënës të notës 9 dhe 10 të gjendur bashkë kuptuan se të “kopjuarit”do ishte një shitje mjaft lirë e së ardhmes së tyre, të tjerët nxënës të notës 8 dhe 7, mbetën gjithmonë në dilemën “kafkiane”: “Të tejkaloj këtë të “mesme” të artë, por dhe të humbas deri në metamorfozë”. Dhe nxënësit me rezultate 6, 5, 4 kuptuan diçka. Shprehja popullore “zgjidhe shokun më të mirë se veten”, në rastin tonë, ajo ka vlerën e “antishprehjes”.

Ne e kuptojmë se një ndarje e tillë, ndoshta për procesin e maturës në rang vendi do kërkonte më tepër hapësirë në përgatitje, por mendoj se në vitet e pritshme, një mundësi e tillë të merret në vëmendje. Madje, ndoshta ka ardhur momenti, që vetë procesi t’i rikthehet vetë shkollave, ku ndërgjegjja e fjetur deri në “vdekje” e këtyre mësuesve, të kuptojë, se të lënit duke kopjuar do jetë ndëshkimi më i trembshëm dhe fat kobshëm, që do t’ia dhuronim të nesërmes kur ky komb do zgjohet i integruar brenda një “atdheu” Europë! Dhe në rastin më të mirë, nëse do kemi drejtësi në arsim, do kemi dhe pushtete të drejtë, ku dija do të kuptojë se ka autoritetin më jetëgjatë përtej të gjitha fushatave dhe rotacioneve politike. Rilindje do të thotë përtej Ringjalljes. Vetë Ringjallja s’mund të lejojë “kthime” të qiririt naimian në kandila ku “vaji” që e ushqen të mos pranohet si nevojë për të mbajtur “zbutshëm”një mekanizëm korruptiv, sepse një shkollë do dukej si ngrehinë e trembur nga një imazh si institucionet e “riedukimit”… T’ia japim nxënësit perandorinë e një Cezari. Sepse disa cezarë njëherësh s’mund t’i vrasësh njëherësh, sado ambicie dhe ligësi kundër të drejtës dhe ligjit mund të mbledhësh sido të jetë dhe vijnë kohërat!

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=46448&kat=92