Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), përmes një postimi në Facebook njofton qytetarët se nga dita e sotme dhe deri më datë 10 shtator do të duhet të paraqiten 3 orë para nisjes në aeroport, për të bërë check-in.
Sipas njoftimit të TIA-s ky ndryshim bëhet për shkak të pasagjerëve të shtuar kohët e fundit me qëllim për të përmirësuar shërbimin e udhëtimit.
Njoftimi i Aeroportit Nënë Tereza:
Aeroporti Nënë Tereza dëshiron t’ju informojë për një përditësim në lidhje me procesin e check-in dhe sigurisë në Aeroport nga sot deri më 10 shtator.
Për të siguruar udhëtim të qetë dhe për të akomoduar pasagjerët e shtuar gjatë kësaj periudhe, do t’iu kërkonim të gjithë pasagjerëve të mbërrijnë në aeroport të paktën 3 (tre) orë përpara kohës së planifikuar të nisjes.
Ju lutemi, merrni parasysh kohën e mundshme shtesë që kërkohet për kontrollin e bagazheve, kontrollet e sigurisë dhe çdo rrethanë të paparashikuar që mund të zhvillohet.
Kjo masë synon të përmirësojë përvojën e përgjithshme të udhëtimit për të gjithë pasagjerët. Si gjithmonë, siguria dhe komoditeti juaj mbeten prioritetet tona kryesore. Duke mbërritur herët, ju na lejoni të kryejmë procedurat e nevojshme me shpejtësi dhe efikasitet. Faleminderit për bashkëpunimin dhe presim t’ju shërbejmë gjatë udhëtimit tuaj nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës./