DURRËS, 7 mars 2015 – Sot, në qytetin tonë u përurua qendra më e re komunitare, TIC ( Together in Community for Developement Society). Në këtë event ishin të ftuar profesionistë të fushës, punonjës socialë, psikologë, pedagogë të Universitetit "Aleksandër Moisiu", mjekë të shërbimit shtetëror, përfaqësues të OJF-ve që operojnë në Durrës dhe të shërbimit social shtetëror, psikologë shkollash, studentë të degëve psikologji e sociologji etj..

Në krye të kësaj nisme është zonja Blerina Reçi, pedagoge e psikologjisë e element kontributiv pranë UAMD-së dhe njëkohësisht drejtoreshë ekzekutive e TIC. Në fjalën e hapjes, prof. Reçi u shpreh se: 

"Qendra TIC do të jetë vazhdimisht në shërbim të shoqërisë. Ajo do t'u ofrojë përkrahje dhe mbështetje grupeve në nevojë, me qëllim fuqizimin e të gjithë aktorëve të komunitetit; grave, të rinjve, të moshuarve, grupeve vulnerabël dhe të margjinalizuar. E gjithë kjo ndërmarrje do t'i shërbejë zhvillimit dhe konsolidimit të shoqërisë sonë, – theksoi drejtoresha Reçi".

Qendra do të ofrojë në vijim trajnime, këshillime, shërbime psiko – sociale etj., për të gjithë të interesuarit. 

/g.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/