Prayla Tiço, administratorja e agjensisë “Prayla”, e vë theksin në mungesën e infrastrukturës së mirëfilltë turistike, e cila sipas saj është faktori kryesor pse shqiptarët i drejtohet gjithnjë destinacioneve të huaja për të kaluar pushimet. Papastërtitë dhe çmimet e larta, që nuk justifikojnë shërbimet që duhet të ofrohen, largojnë gjithnjë pushuesit nga zona bregdetare e Durrësit.
Znj. Tiço, meqë stina e verës sapo ka nisur dhe disa kanë marrë pushimet ç’mund të na thoni për prenotimet e këtij viti?
Me fillimin e sezonit veror kërkesat për ofertat turistike janë rritur ndjeshëm. Prenotimet janë nga më të ndryshmet duke filluar nga Mali i Zi, Turqia, Korfuzi, Greqia, Egjipti etj. Sërish, këtë vit, ashtu si dhe vitin e shkuar, kërkesat e pushuesve për resortet turistike në Greqi dhe Turqi nuk mungojnë, pasi në këto vende paketat e ofruara janë shumë të leverdisshme dhe të përballueshme nga një pjesë e mirë e popullsisë. Gjithashtu, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Nato dhe heqjes së vizave, individë të ndryshëm operojnë individualisht për pushimet e tyre, qoftë dhe pa ndihmën e një agjensie. Gjithsesi kjo gjë na ka mundësuar t’i ndihmojmë pushuesit tanë në zgjedhjen e tyre për vende të ndryshme të Evropës.
Nëse krahasojmë qytetin e Durrësit me Budvën, Dubrovnikun, Korfuzin, Sharm el Sheik etj si paraqitet kërkesa? Cilat janë problematikat e turizmit në Durrës?
Prenotimet turistike brenda vendit çdo ditë e më shumë po bien, pasi ndotja e ambientit, dëmtimet e infrastrukturës, çmimet e kripura, shërbimi i dobët etj., bën që pjesa më e madhe e pushuesve të fokusohen drejt vendeve fqinjë. Përsa i përket shtrirjes gjeografike, bukurive natyrore, detit, klimës etj. Durrësi ecën përkrah fqinjëve të tij si Greqi apo Mal i Zi. I vetmi ndryshim qëndron në ndotjen e tejskajshme të ambjenteve në zonat publike e turistike. Ky është dhe një nga shkaqet kryesore që i bën pushuesit vendas dhe të huaj të largohen për pushime jashtë territorit shqiptar.
Tjetër arsye janë dhe çmimet e larta që nuk shkojnë paralel me standartin e jetesës në Durrës dhe nuk justifikojnë atë çka përfshin paketa e paguar, ndërkohë që në shtetet fqinjë mund të gjejmë oferta nga më të ndryshmet duke përfshirë në çmim ushqimin, fjetjen, guidat turistike, pishinat, palestrat etj. Ofertat për pushime në Durrës janë shumë të pakta, për të mos thënë që nuk ka, pasi e gjithë zona bregdetare operon me klientë fiks dhe privatisht, pra nuk ka një agjensi të mirëfilltë që të merret me hedhjen në treg të ofertave për pushimet verore në Durrës.