Grupimi Qytetar kundër Projektit TID Durrës ka njoftuar organizimin e një proteste qytetare ditën e nesërme, në orën 11:00, përpara Bashkisë Durrës.
Qytetarët kundërshtojnë projektin TID Durrës, duke kërkuar pezullimin e tij, mbrojtjen e pronës dhe transparencë në procedura, si edhe ngritjen e një komisioni hetimor nga Këshilli Bashkiak.
Postimi i plotë:
NJOFTIM PËR PROTESTË
5 Shkurt
Ora 11:00
Para Bashkisë Durrës
PROTESTË QYTETARE – KUNDËR PROJEKTIT TID DURRËS
Grupimi Qytetar kundër Projektit TID Durrës njofton organizimin e një proteste qytetare ditën e enjte 5 shkurt, ora 11:00, përpara Bashkisë Durrës, në reagim ndaj veprimeve të fundit të Bashkisë, e cila po shqyrton opsione të ashtuquajtura “sistemimi” për banorët, pa u ndalur më parë te gabimet, shkeljet dhe mungesa e transparencës në projektin TID Durrës.
Qytetarët kundërshtojnë çdo zgjidhje të imponuar që anashkalon:
– pezullimin e projektit,
– korrigjimin e gabimeve procedurale dhe ligjore,
– konsultimin real dhe të drejtpërdrejtë me banorët e prekur.
Kërkesat kryesore janë:
Pezullimi i menjëhershëm i projektit TID Durrës
Jo “banesa sociale” si zëvendësim i shtëpive tona – ne mbrojmë pronën dhe nuk largohemi
Këshilli Bashkiak të pranojë ngritjen e një Komisioni Hetimor për verifikimin e procedurave, shkeljeve ligjore dhe mungesës së transparencës në lidhje me projektin TID Durrës
Ftojmë mediat të jenë të pranishme për pasqyrimin e qëndrimit të qytetarëve dhe familjeve të prekura.
Njëkohësisht, njoftojmë se vijon anëtarësimi në Forumin Këshillimor Vendor (FKV), si një hap për bashkimin e zërave të qytetarëve dhe forcimin e përfaqësimit kundër çdo cenimi të pronave dhe të drejtave tona.
Grupimi Qytetar kundër Projektit TID Durrës






