Spartak Deliallisi: Teuta dhe ultrasit, një simbiozë e pandarë
Nganjëherë ka rrezikuar dhe punën, por nuk lë asnjë ndeshje të Teutës pa parë
Ndeshjen e fundit të luajtur kundër skuadrës së Kastriotit në stadiumin Niko Dovana tifozët i kishin përgatitur një surprizë mjaft të bukur skuadrës së tyre Teutës. Organizimi i bërë nga tifozeria ishte fantastik saqë edhe vetë lojtarët kur e kanë parë kanë mbetur shumë të habitur nga mënyra se si po i prisnin tifozët ata. Të organizuar në një grup masiv prej të paktën 400-500 vetash, tifozeria durrsake e ndezi zjarr stadiumin dhe krijoi një atmosferë të vërtetë festive. Thuajse tek të gjitha shkallët e stadiumit madje edhe tek pjesa e tifozerisë mike ishin vendosur parrulla dhe flamuj me simbolet e skuadrës së Teutës. Sapo lojtarët janë futur në fushë të gjithë tifozët mbanin në dorë nga një fishekzjarr të ndezur. Duke qenë se ishte ndeshja e fundit e vitit 2011, në stadium nuk ishte e pranishme vetëm tifozeria Ultras, por edhe tifozë të tjerë të ekipit. Pjesa veriore e stadiumit ku ishin vendosur Ultrasit e Teutës të jepte përshtypjen se nga momenti në moment do të shpërthente ndonjë vullkan. Ultrasit përveçse të pajisur me flamujt e skuadrës së tyre kishin marrë me vete edhe shumë fishekzjarrë dhe tymues ose bomba artificiale siç quhen ndryshe, të cilat u hodhën sapo lojtarët dolën në fushë. Madje për disa minuta nuk mund të shikoje më shumë se 3-4 metra distancë, pasi i gjithë stadiumi ishte përfshirë nga një re tymi e madhe. Edhe gjyqtari i takimit priti disa minuta sa u shpërnda reja e tymit, për të vërshëllyer nisjen e takimit. E njëjta situatë u krijua edhe nga përfundimi i pjesës së pare, pasi Ultrasit durrsakë hodhën disa tymuese të tjera. Për çdo minutë djemtë e Hasan Likës dhe vetë ai e kanë ndjerë mbështetjen që i kanë bërë tifozët. Me këngët e tyre, ata mbajtën të karikuar për çdo sekondë skuadrën, e cila iu përgjigj duke ua shpërblyer me të njëjtën monedhë. Teuta ka luajtur një nga takimet më të mira përsa i përket ndeshjeve të luajtura brenda në fushën e saj. Që në minutat e para, djemtë e detit kanë nisur të sulmojnë kundërshtarin dhe kjo i motivonte akoma edhe më shumë tifozët që kishin mbushur shkallët e stadiumit si asnjë herë tjetër. Ekipi durrsak e ka ndjerë mbështetjen e tifozerisë që nga dita e parë e këtij kampionati. Për të na treguar se si Ultrasit durrsakë janë formuar dhe se si ata e mbështesin ekipin e tyre të zemrës, ne kemi folur me njërin prej tyre, Spartak Deliallisin. Spartaku thotë se ka shumë vite që është një tifoz i skuadrës së qytetit të tij dhe se prej disa muajsh është bërë pjesë e Ultrasve durrsakë. Sipas tij është mjaft e vështirë që të jesh një tifoz Ultras, por shumë e bukur që të jesh një prej tyre. Spartaku thotë se janë më shumë se 300 djem të rinj të cilët tashmë quhen Ultras. Ai është një prej tifozëve më besnik të skuadrës së Teutës, të cilën e ka ndjekur dhe mbështetur në çdo ndeshje që ajo ka luajtur. Madje ndjenja për të mbështetur skuadrën e tij të zemrës për pak sa nuk i ka kushtar vendin e tij të punës. Ai i gjendet ekipit në krah, në çdo moment, pa llogaritur asgjë.
Spartak prej sa vitesh angazhohesh duke ndjekur ekipin e Teutës, dhe pse je tifoz me këtë skuadër?
Nuk e mbaj mënd mirë, por ka 6-7 vite që unë jam tifoz i ekipit të qytetit tim. Por ka vetëm tre vitëe që e ndjek skuadrën hap pas hapi. Faktikisht ka qenë gjyshi im ai që ma ka futur në gjak që të bëhesha tifoz i skuadrës së Teutës. Ai më merrte dhe më çonte gjithmonë në stadium kur kishte ndeshje, madje në disa raste ndiqnim edhe stërvitjen e skuadrës. Pothuajse të gjithë pasditen e kalonim në kompleksin ku stërvitet Teuta. Ai vazhdon dhe tani të shkojë, kurse unë më rrallë, pasi jam në punë.
Si u organizuat për të krijuar grupin e tifozëve dhe sa është numri i Ultrasve?
Faktikisht grupi i tifozëve të skuadrës së Teutës është organizuar vetëm këtë vit. E kam fjalën në këto përmasa, sepse kishte plot tifozë që shkonin në stadium, por nuk ishin të organizuar dhe të udhëhequr nga një person. Nga java e dytë e kampionatit ne u organizuam, pasi pamë që ekipi këtë vit do të ishte mirë dhe se do t’i duhej patjetër mbështetja jonë, pra ajo e një grupi tifozësh “Ultras” dhe ashtu ndodhi. Ekipi po ecën i qetë drejt titullit, ndërsa ne arritëm të formonim një grup tifozësh për të mbështetur skuadrën
Si e ndihmoni ju ekipin e Teutës ose më saktë si e mbështesni atë kur ka ndeshje?
Siç e thashë edhe më lart, ditën e ndeshjes ne mblidhemi dhe organizohemi disa orë përpara se të nisë takimi. Fillimisht mblidhemi përpara stadiumit dhe pasi pajisemi me bileta shkojmë tek vendi jonë dhe rregullojmë territorin. Të gjithë kanë nga dy-tre flamurë të vegjël edhe të mëdhenj, të cilët i mbajmë dhe i valëvisim në dorë, ndërsa pankartat i vendosim në vendet e caktuara. Ne sapo hyjmë në stadium fillojmë edhe brohorasim, këndojmë, shajmë në mënyrën tonë. Për gjatë gjithë lojës, ne i këndojmë në kor këngë të ndryshme skuadrës.
A kini patur ndonjëherë përplasje me ndonjë tifozeri tjetër dhe cili është qyteti më i rrezikshëm?
Po, ka ndodhur në shumë raste. Jemi konfrontuar me tifozeritë e skuadrave të tjera. Por tani jo më, sepse janë marrë të gjitha masat që përpara takimit që tifozeritë respektive të mbajnë një distancë të largët nga njëra-tjetra, ndërsa jemi të shoqëruar me polici, e cila qëndron në mes. Ne nuk jemi shumë të egër me kolegët tanë, që vijnë për të ndjekur skuadrën e tyre. Nëpër rrethe të tjera ne kemi hasur shumë probleme, madje jemi ndjerë të pambrojtur nga policia. Këtu tek nuk ndodh diçka e tillë. Ne nuk të ngacmojmë në qytet, ndërsa në shumicën e rretheve të tjera sherret bëhen jashtë ambjenteve sportive në mes të qytetit. Këtu tek ne nuk ke mundësi që të konfrontohesh me tifozeri të tjera, pasi edhe në stadium qëndrojmë në distancë të largët. Ne jemi vendosur prapa portës veriore, ndërkohë që miqtë i vendosin në tribunën qendrore. Kështu që përveçse të sharave që shkëmbejmë me njëri-tjetrin, nuk kemi asnjë kontakt tjetër. Më përpara, ne tifozët e Teutës ishim vendosur në tribunë dhe ishim shumë afër me tifozët e tjerë. Mbaj mend që në stadiumin tonë vetëm atëherë jemi konfrontuar. Stadiumet e tjera janë shumë të vështira. Thuajse është e pamundur që të dalësh pa u konfrontuar me tifozerinë vendase, madje edhe me vetë policinë, për shkak se nuk i trajtojnë të dyja tifozeritë njësoj. Jemi ndjerë shumë keq në Pogradec, kur si tifozeria ashtu edhe forcat e rendit u treguan shumë harbutë me ne.
Spartak, ju Ultrasit e ndiqni skuadrën në të gjitha takimet që ajo luan si jashtë edhe brenda?
Po ne organizohemi gjithmonë, qoftë kur skuadra luan ndeshje brenda qoftë edhe jashtë. Unë e lë çdo punë edhe nisem së bashku me shokët, ose i programoj gjërat që më përpara. Nuk kam humbur asnjë ndeshje të Teutës këtë sezon as brenda dhe sa jashtë. Madje sot kam qenë i sëmurë dhe prapë erdha të mbështesja skuadrën, që këtë vit na ka magjepsur të gjithëve.
Cili do të ishte urimi që do ti bëje skuadrës së Teutës?
Sigurisht në emër të të gjithë tifozëve durrsakë unë do t’i uroja ekipit të shpallej kampione e Shqipërisë për këtë sezon. Kemi shumë vite që nuk kemi marrë asnjë trofe, por nëse do të shpallemi kampionë do t’i harrojmë të gjitha. E gjithë tifozeria e pret prej kohësh një titull kampion.
Po kur skuadra luan jashtë fushës së saj si në rastin e fundit që luajti në Pogradec, kush i mbulon shpenzimet tuaja?
Gjithmonë, kur ne udhëtojmë për të ndjekur skuadrën në stadiume të ndryshme të Shqipërisë çdo gjë e kemi të paguar. Flas këtu për biletat, ato të udhëtimit dhe biletat që të hyjmë brenda në stadium. Ato deri më tani i ka paguar presidenti i Teutës, të cilin e falenderojmë shumë që ka mundur të formojë një ekip të mrekullueshëm, që po na mahnit çdo ditë edhe më shumë me lojën dhe rezultatet e arritura.
Spartak e dini ju historinë e skuadrës së Teutës?
Ndoshta nuk e di të gjithë, por diçka mbaj mend. Teuta është një klub i futbollit shqiptar nga Durrësi, që u themelua më 1925 me emrin KS Urani, për të vijar më pas me një sërë emrash si Durrësi, Ylli i Kuq, Puna, Lokomotiva e deri në vitin 1991 kur i rikthehet emri KS Teuta, të cilin e mban edhe sot. Skuadra e Teutës ka qenë një herë kampione e kampionatit shqiptar të futbollit dhe dy herë ka fituar Kupën e Shqipërisë. Në arenën e futbollit europian ka marrë pjesë në kupën e UEFA-së tri herë, për kupën Intertoto ka luajtur po ashtu tri herë, për kupën e Kupave një herë dhe për kupën Ballkanike ka luajtur një herë. Tani klubi udhëhiqet nga presidenti, Edmond Hasanbelliu dhe lojtarët udhëhiqen nga trajneri i klubit, Hasan Lika.