Pavarësisht humbjes së thellë dhe rezultatit të dhimbshëm, tifozët e Durrësit, sado pak në numër, treguan që kanë vlera dhe shpirt të kulturuar. Po ashtu edhe ata të Lushnjës. Në stadium nuk ka pasur më shumë se 300 tifozë. Vendësit (270) janë miqësuar shpejt me të ardhurit (30). Fillimisht, tifozët e Lushnjës kanë ndihmuar ata të Teutës të hyjnë në stadium.

Pasi kanë marrë biletat, i kanë shoqëruar për në portën hyrëse. Më e bukura ka qenë se tifozët janë bashkuar edhe pas ndeshjes duke festuar, duke pirë birra, dhe duke kënduar të gjithë në kor për kombëtaren. Takimi është mbyllur me foto së bashku, duke lënë tjetër takim në dhjetor.

Tifozët durrsakë kanë ndërmarrë një nismë të re për të kulturuar tribunat në të gjithë Shqipërinë. Ata thonë për “DurrësLajm” se po ringrejnë grupimin e tifozëve duke vendosur rregulla, ku nuk do ketë sharje dhe vetëm do të këndohet në kor për 90 minuta.

Nisma është ndërmarrë nga grupimi tifozët “DJEMTË E DETIT”, i ringritur si grupim që në vitin 1994.