11 shkurt 2015 –  Ndeshja mes Laçit dhe Kukësit që përfundoi në shifrat 2-1 për vendasit solli edhe një episod të shëmtuar. Gjithçka u prish në startin e së dytës. Në minutën e 47-të, Kukësi kishte të drejtën e një rivënieje anësore në krahun e djathtë të sulmit, afër tribunës ku ishin të pozicionuar ultrasit e Laçit.

Është mbrojtësi Smajli që shkon të marrë topin për të kryer rivënien, por në momentin që kërkon të hedhë “sferën” me duar, goditet me një flakadan në pjesën e qafës dhe të kokës. Menjëherë lojtari shtrihet në tokë dhe më pas nxirret nga fusha me barrelë, duke u dërguar në spital për një mjekim më të specializuar, pasi sipas drejtuesve dhe vetë futbollistit, gjendja e tij nuk ishte aspak e mirë.

Por për të hedhur poshtë pretendimet e Smajlit dhe të klubit kuksian kanë menduar tifozët e Laçit, të cilët kanë xhiruar një video duke e goditur në kokë një tifoz me flakadan dhe shihet që atij nuk i ndodh asgjë. Tifozët duan të tregojnë se ajo që i ndodhi Smajlit nuk ishte dramë, por një goditje e lehtë. Video ka qarkulluar menjëherë nëpër rrjetet sociale.

 
https://www.youtube.com/watch?v=NTgHvOGAZZw