Mbrëmja filloi me shi. “El Pipita” e dinte se duhej të mbyllte veshët në “San Paolo”, kur rikthehej për herë të dytë brenda pak ditësh. Shënoi dy gola si kundërpërgjigje e vërshëllimave dhe ofendimeve të tifozëve napoletanë, por nuk e pat me ta. Sulmuesi argjentinas deshi të tregojë njeriun që e shtyu drejt Juventusit. Ai tregoi me gishtin e dorës së djathtë nga tribuna. “Viktima” e këtij veprimi ishte presidenti De Laurentiis, në shënjestër pas dy golave të shënuar prej tij në fushë.
Asnjë ngazëllim, por indeksi u kthye në anën e argjentinasit, që dukej shumë qartë se donte të thoshte: faji është juaji.” Ndërkohë, në “Twitter”, vëllai-agjent i Higuain nisi një mesazh provokues për palën napoletane: “Unë dua të shoh fytyrën e Aurelio çdo herë që shënon vëllai im. Tani pres ndeshjet e ardhshme, hahaha”. Një shenjë e luftës, që vazhdon në gjykatë, ku “El Pipita” kërkon njohjen e 600,000 euro për të drejtat e imazhit, referuar kontratës së sezonit 2015-2016.