Legia e Varshavës, ku aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, luajti ditën e djeshme ndaj Astanës në takimin e vlefshëm për turin e tretë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve. Në fillimin e ndeshjes, tifozët polakë hapën një koreografi tronditëse në kujtim të 160 mijë viktimave duke përfshirë këtu edhe shumë fëmijë, të cilët u vranë gjatë periudhës nga 1 gushti deri në 2 tetor të vitit 1944, në kryengritjen kundër pushtimit të qytetit nga gjermanët.

Në banderolën e hapur nga tifozët shikohet qartë një ushtar nazist, pa fytyrë, i cili i drejton pistoletën në kokë një fëmije, që mban një kapele me flamurin polak. Përpara fillimit të ndeshjes u mbajt dhe një minutë heshtje nga të dyja skuadrat, ndërsa një këngë patriotike u vendos në stadium.