Itali, 29 korrik 2014 – Kontestimi i tifozëve dhe kërcënimet që ka marrë gjatë ditëve të fundit Igli Tare, kanë funksionuar si nxitës për drejtorin sportiv të Lacios. Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare ka dhuruar një tjetër lëvizje mjeshtërore në merkato për klubin e tij, duke arritur të marrë me një kosto shumë të ulët Stefan De Vrij, qendërmbrojtësin e kombëtares holandeze, që u cilësua më i miri i Botërorit 2014 në këtë rol sipas statistikave të FIFA-s. Transferimi është një nga më të bujshmit, pasi Tare ka arritur të mundë konkurrencën e shumë klubeve të njohura në Europë, mes të cilave Mançester Junajtid dhe Borusia Dortmund.

Ndërsa në Itali diskutohej ende çështja e kërcënimeve të marra nga Tare dhe familja e tij, si dhe deklarata e drejtuesit shqiptar për dorëheqje nëse merkatoja nuk do të shkonte ashtu siç pritej, ka ardhur lajmi për një tjetër goditje të bujshme të 41-vjeçarit. Tare ka fluturuar drejt Holandës dhe ka mbyllur shumë shpejt me Fejenordin transferimin e De Vrij, një lojtari që ndiqej me ngulm nga disa prej klubeve më të mëdha në Europë. Titullari fiks i kombëtares holandeze gjatë viteve të fundit, si dhe në Botërorin 2014, kërkohej nga Mançester Junajtid dhe Borusia Dortmund. Por as Luis Van Gal dhe as Jurgen Klop nuk kanë bindur lojtarin më shumë se propozimi që Igli Tare i ka bërë 22-vjeçarit, duke e bërë menjëherë një nga pikat e referimit te skuadra e Lacios në projektin e ri ambicioz. Nga ana tjetër, Fejenord ka pranuar ofertën prej 8.5 milionë eurosh dhe ka mbyllur gjithçka për transferimin e lojtarit që sot do të zhvillojë testimet fizike dhe do të nënshkruajë kontratën pesëvjeçare me bardhekaltërit, nga e cila do të përfitojë 1.3 milionë euro në sezon.

Konfirmimi ka ardhur në mediat holandeze nga menaxheri i futbollistit dhe më pas edhe nga zëdhënësi për shtyp i klubit të Lacios, Stefano De Martino. “Stefan De Vrij do të vijë sonte (mbrëmë) në Fiumiçino dhe të martën në orën 8 do të zhvillojë vizitat mjekësore në klinikën e Padeias. Presim me gëzim mbrojtësin më të fortë të Botërorit, një blerje e nivelit ndërkombëtar. Kam folur me Taren pak orë më parë dhe tani jam shumë i lumtur për këtë goditje në merkato”, tha De Martino.

Lëvizja mjeshtërore e Tares është e ngjashme me atë që bëri në vitin 2010 për të siguruar Hernanes, apo në vitin e kaluar me Felipe Anderson, negociata për të cilat drejtuesi shqiptar ka marrë komplimente edhe nga kolegët e tij në Itali. Ndaj nuk është aspak rastësi që presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, ka deklaruar se nuk ka ndër mend të heqë dorë nga Tare dhe nuk do të pranojë dorëheqjen e tij sido që të shkojnë gjërat gjatë kësaj merkatoje. Për më tepër, sigurimi i 22-vjeçarit De Vrij do të shërbejë edhe për të harruar dështimin në transferimin e 27-vjeçarit Davide Astori, pasi praktikisht është shpenzuar e njëjta shumë për një lojtar të një cilësie më të lartë dhe të një moshe më të re. Kësisoj, Tare kthehet përsëri në epiqendër të vëmendjes në Itali për arsyet e duhura, duke u konfirmuar si një prej drejtorëve sportivë më të aftë për të bërë goditje të bujshme, edhe pa pasur në dispozicion shuma të mëdha siç kanë kolegët e tij në klube më të njohura. 

Tare kishte nisur negociatat që në maj, ndërsa ka shkuar vetë në Roterdam për të siguruar firmën e De Vrij.  Stefan De Vrij është renditur i treti në statistikat e FIFA-s për Botërorin 2014, pas Toni Kros e Arjen Roben.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/