Bullgari, 17 maj 2014 – Një stadium që digjet nga flakët dhe dhunë mes tifozëve ishte panorama e finales së Kupës së Bullgarisë mes Ludogorets dhe Botev Plovdiv që u luajt në qytetin e Burgasit.

Në minutën e 58-të të ndeshjes, takimi u ndërpre për më shumë se 20 minuta, në momentin kur Roman Bezjak shënoi golin e vetëm të ndeshjes për ekipin e Ludogorets. Goli i pësuar irritoi tifozët e Botev, që i vunë zjarrin stadiumit, kaluan bordurat mbrojtëse të fushës dhe hynë në fushë duke kërcënuar lojtarët. Forcat zjarrifikëse shuajtën flakët ndërsa ato të rendit u përpoqën të vinin qetësinë duke rikthyer tifozët në shkallët e stadiumit.

Takimi rifilloi pas pothuajse 20 minutash me Ludogorets që arriti të fitojë Kupën duke u konfirmuar si skuadra dominuese në vendin ballkanas në këto tre vitet e fundit, gjatë të cilëve ka mundur të fitojë 3 herë kampionatin, dy herë Kupën dhe njëherë Superkupën e vendit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/