Në vigjilje të ndeshjes së mbrëmjes së sotme Shqipëri – Islandë, e vlefshme për Ligën e Kombeve, tifozë të shumtë kanë zbarkuar në Durrës.
Dy ditët e fundit kanë qenë me dhjetëra tifozë islandezë në disa nga pikat më të frekuentuara të Durrësit.
Operatori Sokrat Toçi ka kapur momente kur shumë prej tyre vizitonin shëtitoren “Taulantia”, frekuentonin lokalet e zonës apo shkrepnin foto pranë statujave të bronzit të yjeve botërorë si Mick Jagger, John Lennon etj.
Turistët kanë tërhequr vëmendjen edhe të vendasve, sepse shumë prej tyre mbanin veshur kostumet tradionale të vendit të tyre, fundet në tonalitete të errëta dhe bluzet e kombëtares islandeze.
Shqipëria do ta luajë mbrëmjen e së martës, në orën 20.45, ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve më 27 shtator ndaj Islandës, në stadiumin “AIR Albania”.
Kombëtarja e Edi Rejas vjen në këtë përballje pas humbjes me Izraelin 2-1 në transfertë.