5 tetor 2014 – Mario Baloteli gjendet te Liverpuli prej më pak se një muaji, por durimi i tifozëve të kuq duket se ka përfunduar. Pa humbjes me Bazelin në Champions, ata që kritikojnë ish-sulmuesin e Milanit nuk janë vetëm organet e shtypit, por edhe tifozët në “Twitter”: “Është i tmerrshëm”, është komenti që lexon më shpesh, por nuk mungojnë dhe krahasimet: “Plehrë totale. Përse e blemë këtë? Duhet të heqim qafe që në janar”. Ndërkohë që Roxhers i bën një dush të ftohtë në dhomat e zhveshjes pasi refuzoi të përshëndeste tifozët në transfertën zvicerane, edhe pse trajneri ia kërkoi një gjë të tillë. Por nëse në Champions Mario e ka shënuar një gol kundër Ludogoretsit, në Premier Ligë 310 minutat në 4 ndeshje, nuk e kanë prodhuar ende golin e parë. Në konferencën e djeshme për shtyp përpara ndeshjes me Uest Bromuiçin, menaxherit irlandezo- verior i humbi edhe durimi kur e pyetën për formën e 24-vjeçarit, i cili në Bazel nuk preku asnjë top në zonë: “Sa i përket sjelljes, ai djalë po përpiqet që të punojë shumë gjatë ndeshjes. Sa u përket golave, ai duhet të përmirësohet. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ai nuk ka arritur rezultatet që kishte objektiv. Ne duhet të rikthehemi sërish një skuadër. Kur vetëvlerësimi është i ulët, atëherë vëmendja spostohet te forma e individëve, por ne duhet të rikthehemi një skuadër”. Roxhers konfirmoi se Liverpuli po negocion me Daniel Starrixh për rinovimin e kontratës së sulmuesit, edhe pse 25- vjeçarit i kanë mbetur 4 vite në “Anfield Road” përpara se të skadojë. Starrixh ka shënuar 36 gola në 52 ndeshje që kur është transferuar nga “Stamford Bridge” dhe ka ardhur koha të shpërblehet me një kontratë që do skadojë në vitin 2019, nga e cila do të përfitojë 150 mijë paund në javë. “Po negociohet me menaxherët e tij, por nuk ka ende ndonjë lajm për të shpallur”, konfirmoi 41-vjeçari.