5 tetor 2014 – Lajmi për të mos pranuar tifozë kosovarë në ndeshjen e Beogradit mes Serbisë dhe Shqipërisë, ka ngjallur reagimin e tifogrupit më të madh mbështetës të kombëtares.Tifozët kuqezi, i kanë dërguar një letër Federatës Shqiptare të Futbollit, përmbajtjen e së cilës e kanë publikuar edhe në faqen zyrtare në Facebook.
“Pas përpjekjeve të shumta të Federatës serbe të futbollit për shmangien e udhëtimit të tifozëve shqiptarë në Beograd, erdhi edhe një kusht që përveçse është absurd, tall tifozerinë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Kushti i vënë nga autoritetet serbe për shitjen e biletave vetëm dhe ekskluzivisht për personat që janë të pajisur me pasaportë shqiptare është përçarës, fyes dhe i papranueshëm për ne”, shkruhet mes rreshtave.
Në vijim të letrës, tifozët kuqezi kërkon që Federata Shqiptare të mos pranojë kushtet e vendosura nga Federata Serbe pasi një kërkesë e tillë diskriminon tifozët shqiptarë.
“Prandaj i bëjmë me dije FSHF-së se në Beograd tifozët shqiptarë nuk ndahen, ne do të udhëtojmë ose të gjithë bashkë, ose asnjë”, theksohet në fund të deklaratës.





