Një shtetas francez dhe një belg janë goditur me thikë në këmbë nga dy tifozë shqiptarë, pas një përleshjeje.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme kur tifozë të të dyjave skuadrave ndiqnin ndeshjen Francë-Shqipëri në sheshin Bellecour me ekran të madh në qytetin e Lionit.

Agjencia e lajmeve AFP raporton se pak para se Franca të shënonte golin e dytë ndaj Shqipërisë, disa shqiptarë identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, nisën një sherr me tifozët francezë, të cilët këndonin Marsejezën në nder të fitores.

“Kjo është hera e parë dhe e fundit që hapet një Fan Zone,” tha një zyrtar i policisë, që e përshkroi si shqetësuese futjen e armëve në zona me shumë tifozë që edhe mund të nxehen me njëri-tjetrin gjatë ndeshjeve.

Pas këtij incidenti, prefektura ka kërkuar nga organizatori i Fan Zone-s në Lion dhe nga kompanitë e sigurisë që të përforcojnë kontrollet fizike në hyrje të këtyre zonave.