19 shkurt 2015 –  Kristiano Ronaldo u vërshëllye nga ti fozët e tij gjatë ndeshjes së kaluar, për shkak të festës që organizoi pas humbjes me Atletikon e Madridit. Por, pamjet ku ai ishte duke pirë alkool dhe duke kërcyer, kanë shërbyer edhe si objekt ironie për ultrasit e Barcelonës. Katalanasit fituan 5-0 në fundjavë, ndërkohë që u dëgjua shumë shpesh emri i Kristianos. “Pijanec! Ronaldo pijanec!”, thirrej në kor nga shumë të pranishëm në “Kamp Nou”.

Por, edhe pse duket si një shaka, Liga e Futbollit ka nisur një hetim. Ata kanë marrë në dorëzim të gjitha videot e ndeshjes dhe do të gjejnë pjesët ku tifozët kanë ironizuar me emrin e yllit portugez. Këto ditë do të çohet edhe dosja e përgatitur në Komisionin Anti-Dhunë. Për Ligën e Futbollin kjo shikohet si një diskrimin apo dhunë verbale dhe duhet dënuar. Në rast vërtetimi, nuk do të ishte çudi një gjobë e majme për klubin e Barcelonës, por në raste të caktuara merret dënim edhe me mbyllje të pjesshme të stadiumit. Në fakt, nuk është hera e parë që merren në shqyrtim koret e tifozëve. Në të shkuarën ka ndodhur edhe me tifozët e Realit, por që shpëtuan pa u ndëshkuar. Koret e tyre ishin “Mesi! Mesi! Mesi anormal!”.

Pasi u bë një analizim i këtyre thirrjeve, nuk u arrit në konkluzionin se kishim të bënim me një sulm verbal që cenonte imazhin e lojtarit, pasi fjala interpretohej në disa këndvështrime, qoftë edhe me kontekst pozitiv. Liga e Futbollit në Spanjë ka nisur një fushatë në fillim të këtij edicioni për të pastruar sportin nga trukimet dhe të sensibilizojë tifozët që stadiumi të jetë një impiant që ofron argëtim. Për këtë arsye, pati një hetim të hollësishëm sa i përket paracaktimit të rezultateve, ndërkohë që u rritën ndjeshëm masat ndaj sjelljeve jo korrekte të fansave.