Bullgari, 21 gusht 2014 – Dikujt mund t’i duket marrëzi apo çmenduri, ndërsa për tifozët e vërtetë që lagen në shi e rreshken në diell ndoshta është maksimumi i devotshmërisë që mund të bëjë një fans futbolli për ekipin e tij të zemrës, megjithatë rasti i bullgarit Zdravkov Levidzhov është sa i çuditshëm aq edhe i veçantë. 51-vjeçari është një tifoz i flaktë i Manchester United dhe në fakt Zdravkov nuk u mendua dy herë. Tashmë emri i tij është ky, Manchester Zdravkov Levidzhov – United.
Pyetja që lind natyrshëm është shumë e thjeshtë, – a do të ishit në gjendje të zgjidhnit për emër pikërisht klubin tuaj të preferuar? Natyrisht ka një diferencë të jashtëzakonshme nëse prindërit vendosin menjëherë pas lindjes për shembull për një emër të tipit Milan, siç ka vepruar çifti Piquet – Shakira, që në këtë rast nuk ka fare lidhje, apo bie fjala Shkodran, për Shkodran Mustafin, ose Raven nëse je tifoz i ekipit të Baltimorës në futbollin amerikan, apo Leyton, Besa, Adelaide, kuptohet janë emra që shkojnë. Edhe nëse bëhet fjalë për emra futbollistësh, sigurisht as kjo nuk përbën kurrfarë problemi sepse ka me miliona raste por të vendosësh të ndryshosh emrin në moshën 36 vjeç, ta bësh tatuazh në ballë e të parapëlqesh të të thërrasin Manchester United kjo është në kufijtë e të pabesueshmes.
Gjithçka është e vërtetë dhe filloi ditën e finales së madhe të Champions League, Manchester United – Bayern Munich. Një ndeshje që nisi keq dhe vazhdoi gjatë me “Djajtë e Kuq” në disavantazh, deri në minutat e kohës shtesë, megjithatë Zdravkov ishte ndër të paktët tifozë që besuan deri në fund. Atë mbrëmje ky tifoz unik nga Bullgaria i premtoi miqve të tij se në rast triumfi emri i tij do të bëhej Manchester United. Për ata që nuk e kujtojnë dot përfundoi 2-1 në favor të “Red Devils”. Mund të ishte thjesht një premtim, apo një bast marinarësh, por jo për të. Kaloi shumë kohë por tashmë Zdravkov ia arrin qëllimit, duke bërë në ballë një tatuazh me stemën dhe ngjyrat e klubit legjendar britanik.
Në gjithë këto vjet super tifozi i United u përball në një betejë të gjatë ligjore me gjykatësit, që deri më tani ishin kundër idesë për të zgjedhur një emër të tillë absurd. Në fund gjithsesi fitoi ai dhe Zdravkov Levidzhov me krenari deklaron se tatuazhi në ballë është pikërisht karta e tij e identitetit, duke shtuar se njerëzit nuk e tallin për këtë zgjedhje të guximshme por përkundrazi e shikojnë plot admirim. Dhe si për të kompletuar gjithçka Zotëria Manchester United na paskësh pasur edhe një mace, që quhej Beckham.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





