E pabesueshme. Gjatë ndeshjes së vlefshme për kampionatin e Divizionit të Parë të kampionatit norvegjez, mes skuadrës së Kongsvinger dhe asaj të Ranhein, arbitri anësor, Ole Andreas Skogsrud Haukasen, është sulmuar nga një spectator. Një akt dhune tërësisht i dënueshëm, por deri këtu nuk ka asgjë të paprecedentë.

Në të vërtetë, ajo që e bën këtë rast unik është mjeti me të cilin është sulmuar asistenti. Nga imazhet e publikuara nga televizioni sportive “Eurosport” duket qartë se si një tifoz që ka zbritur nga shkallët e tribunës karshi dhe ndodhet në hyrje të fushës, i veshur me të kuqe, shkon përballë arbitrit anësor, kur ky i fundit po ndiqte aksionin dhe ishte pa mendje te veprimet e tifozit, për ta sulmuar asistentin me anë të një spray me spec djeges dhe për tu larguar më pas me vrap.

Tifozi i Kongsvinger është arrestuar vetëm pak momente më pas, ndërsa arbitri kryesor Steinar Hauge ka ndalur ndeshjen për disa minuta, për t’i mundësuar asistentit të tij që të marrë ndihmën e parë. Pas trajtimit mjekësor, anësori Huakasen ka vijuar ndeshjen.