Bashkimi Evropian i ka kërkuar TikTok që të ndryshojë “dizajnin e tij të varësisë” ose të përballet me gjoba të mëdha, pasi ka gjetur se platforma e ndarjes së videove ka shkelur rregullat evropiane për sigurinë online.
Ky vendim vjen pas një hetimi që Komisioni Evropian nisi në shkurt 2024 ndaj aplikacionit të pronësisë kineze.
Në gjetjet e saj paraprake, Komisioni tha se TikTok nuk ka “vlerësuar siç duhet” se si funksionet si autoplay mund të dëmtojnë mirëqenien e përdoruesve, përfshirë fëmijët dhe se nuk ka zbatuar masa për të ulur këto rreziqe.
Një zëdhënës i TikTok i tha BBC-së se gjetjet paraqisnin një “përshkrim krejtësisht të rremë dhe pa asnjë bazë” të platformës dhe se kompania planifikon t’i sfidojë ato. Platforma është ftuar të përgjigjet ndaj gjetjeve të BE-së. Në varësi të rezultateve, Komisioni mund të gjobisë TikTok deri në 6% të xhiros së saj globale vjetore, që llogaritet në disa miliarda.
Drejtoresha për teknologjinë e BE-së, Henna Virkkunen, u tha gazetarëve se nëse TikTok dëshiron të shmangë gjobat, duhet të “ndryshojë dizajnin e shërbimit të saj në Evropë”.
Komisioni ka sugjeruar disa masa që platforma mund të marrë, përfshirë futjen e pushimeve për kohën e ekranit gjatë përdorimit natën dhe ndryshimin e algoritmeve që ofrojnë përmbajtje të personalizuar.
Ai gjithashtu sugjeroi që TikTok të çaktivizojë “scroll-in pafund”, i cili lejon përdoruesit të shfletojnë shpejt miliona video.
“Ligji për Shërbimet Dixhitale bën që platformat të jenë përgjegjëse për efektet që mund të kenë mbi përdoruesit e tyre”, tha Virkkunen.
“Në Evropë, ne zbatojmë ligjin për të mbrojtur fëmijët dhe qytetarët tanë online.”
Analisti i mediave sociale, Paolo Pescatore, e përshkroi këtë vendim si një “kontroll realiteti” për TikTok dhe një “sinjal paralajmërues” për çdo platformë sociale.
“Tregu po ndryshon nga ‘maksimizimi i angazhimit’ në ‘ndërtimin e përgjegjësisë’ dhe rregullatorët tani kanë mjetet për ta zbatuar këtë”, tha ai.
Ndërkohë, profesoresha Sonia Livingstone nga London School of Economics tha se, megjithëse TikTok ka futur disa mjete për të përmirësuar sigurinë online të përdoruesve, ato nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur udhëzimet e BE-së.
“Të rinjtë po kërkojnë ndryshime të tilla”, tha ajo.
“Ata janë të zhgënjyer që platforma nuk vendos mirëqenien e tyre mbi fitimin.”





