·       Kryebashkiakja Xhudi Xhordan Xhonson: Jemi krenarë dhe është nder për vet qytetin e Lorinsvil-it ku ndodhet “Adriatic Grill”-in që u përfshi në listën e divizionit të turizmit të shtetit

20 gusht 2015 – Për dy vjet e gjysmë restoranti “Adriatic Grill” i shqiptarit Jakup Neziri në një qytet të “humbur” të Amerikës fiton famë në shtetin e Xhorxhias (Georgia) dhe më gjerë.

Më 20 gusht 2015, e përditshmja zyrtare  Gwinnett Daily Post  që botohet nga kontea Guinet (Gwinnett County) e shtetit të Xhorxhias (Georgia), në një shkrim të gjerë njofton se ëmbëlsira italiane  tiramisu, që përgatitet nga shqiptari Jakup Neziri në qytetin e vogël të Lorinsvil-it (Lawrenceville), ka marrë vlerësim dhe miratim nga shteti dhe është përfshirë në listën e 100 pjatave (“100 Plates Locals Love”) që u rekomandohen turistëve.

I themeluar në vitin 2012, “Adriatic Grill”-i është i pari restorant i llojit vet në zonën e kontesë së Guinet-it në shtetin e Xhorxhias. Ky restorant menaxhohet nga  chef-at dhe pronarët Jakup dhe Fatime Neziri, dhe sjell një numër të specialitetesh të preferuara të Evropës Lindore në menynë e “Adriatic Grill”-it, duke shërbyer një larmi të shijshme, aromatike sallatash, sanduiçesh, byreqesh, pitesh, por edhe tortash e ëmbëlsirash të parezistueshme italiane. Dhe ja, më 19 gusht 2015, pa u mbushur mirë 2 vjet e ca, ky restorant fiton famë në shtetin e Xhorxhias dhe në mbarë Amerikën për një ëmbëlsirë italiane, si  tiramisu-ja.

Pronari i restorantit “Adriatic Grill” Jakup Neziri pozon për  Gwinnett Daily Post  pranë banakut të ëmbëlsirave gjatë punës, të mërkurën, më 19 gusht 2015, në qytetin e Lorinsvil-it. Divizioni i Turizmit i shtetit të Xhorxhias e ka përfshirë  tiramisu-në e restorantit në listën e 100 pjatave më të dashura (100 Plates Locals Love); lista për guidën kulinare turistike të shtetit të Xhorxhias për vitin 2015.

“E kemi marrë shumë seriozisht”, tha Neziri me një theks të dukshëm euro-lindor. “Kemi qejf të bëjmë atë që duam”. Përkushtimi i Nezirit për ta bërë  tiramisu-në sa më afër mënyrës evropiane të jetë e mundur tërheq vëmendje të madhe në mbarë shtetin amerikan të Xhorxhias, shkruan  Gwinnett Daily Post.

Ideja është që t’u jepet vizitorëve një përvojë sa më autentike ngrënieje, duke i marrë nga rruga dhe duke i dërguar në restorante që janë popullore mes banorëve vendas, por që mund mos vihen re nga turistët. Zyrtartët e shtetit të Xhorxhias lavdëruan punën e Nezirit kur u shpjeguan turistëve për ç’arsye  tiramisu-ja u fut në listë. “Është ëmbëlsirë italiane e gatuar ashtu siç duhet”, shkruan zyrtarët në listë. “Kjo ëmbëlsirë e menduar me mjeshtëri, e parapëlqyer dhe e butë është e shijshme dhe me çmime të arsyeshme”.

Zyrtarët e bashkisë së së Lorinsvil-it janë gjithashtu të gëzuar për vlerësimin dhe miratimin, që iu dha njërit prej restoranteve të qytetit. “Sigurisht jemi krenarë dhe është nder për vet Lorinsvil-in ku ndodhet “Adriatic Grill”-in që u përfshi në listën e divizionit të turizmit të shtetit të Xhorxhias mes 100 pjatave më të dashura”, citohet të ketë thënë kryebashkiakja Xhudi Xhordan Xhonson (Judy Jordan Johnson).

Info

Xhorxhia është shtet në juglindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si shtet, për nga madhësia, renditet në vendin e 24-të dhe, për nga popullsia, në vendin e 8-të midis 50 shteteve amerikane. 14 konte të këtij shteti, në vitet 2007-2008, u renditën midis 100 konteve të SHBA-së me rritjen më të shpejtë, duke zënë vendin e dytë pas shtetit të Teksas-it. Kryeqyteti i shtetit është Atlanta, njëkohësisht dhe qyteti më i populluar i Xhorxhias. Ky shtet në jug kufizohet me shtetin Florida-s, në lindje me Oqeanin Atlantik dhe shtetin e Karolinës së Jugut, në perëndim me shtetin e Alabama-s, dhe në veri me shtetet e Tenesi-t dhe Karolinës së Veriut.

Kontea Guinet e shtetit të Xhorxhia-s, ka një popullsi prej mbi 805 mijë banorë, kontea e dytë më e populluar e shtetit.

Qendra administrative është Lorinsvil-i, i cili ka një popullsi prej rreth 29 mijë banorë.

/th. m. portali “durreslajm.com”/