TIRANË, 16 mars 2013 –Tirana u ka ofruar azil 210 pjesëtarëve të një grupi opozitar iranian që aktualisht jetojnë në një bazë ushtarake amerikane pranë Bagdadit.
Zyra e shtypit e Këshillit të Ministarve se njofton Kryeministri Sali Berisha priti më 16 mars 2013 në takim Zëvendës Ndihmës Sekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler, të cilët shoqëroheshin nga përfaqësues të Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), zëvendës-ambasadori amerikan në Tiranë, Henry V. Jardine, si edhe diplomatë të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Sipas zyrës së shtypit, Kryeministri Sali Berisha i theksoi Zëvendës Ndihmës Sekretares së Shtetit Leaf se sikundër iu premtua Sekretares së Shtetit znj.Clinton, gjatë vizitës së saj historike në Tiranë dhe qeverisë së SHBA, qeveria shqiptare është e gatshme dhe po merr masa për t’u ofruar strehim për arsye humanitare për një numër të kufizuar prej 210 personash, të cilët janë të mirëpritur dhe do t’u krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit.
Ndërkohë ky lajm ka bërë xhiron e botës nëpërmjet agjencisë së lajmeve Associated Press.
Sippas AP-së, qeveria shqiptare thotë se u ka ofruar azil 210 pjesëtarëve të një grupi opozitar iranian që aktualisht jetojnë në një bazë ushtarake amerikane pranë Bagdadit.
Kryeministri Sali Berisha e bëri njoftimin të shtunën pas takimit me Zëvendës Ndihmës Sekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler, dhe zyrtarë të tjerë.
Ai tha se oferta është bërë për “arsye humanitare”.
Qeveria e Irakut mezi pret që këtë grup, muxhahidin-e-Halk (MEK), ta nxjerrë jashtë vendit.
Grupi kundërshton regjimin klerikal të Iranit dhe ka kryer vrasje si dhe vendosje bombash në Iran derisa hoqi dorë nga dhuna në vitin 2001.
Grupi në vitin 1980 ishte përkrah forcave të Sadam Huseinit në luftën Iran-Irak.
OKB-ja thotë se mbi 3.000 pjesëtarë të MEK-ut jetojnë në ish-bazën amerikane.
Ata refuzojnë të largohen nga Iraku.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/