Një javë pasi Edi Rama prezantoi iniciativën e tij StopRrënimit.com, mbi 350 foto dhe 10 video janë dërguar në faqen online të krijuar nga socialistët, ku qytetarët ftohen të denoncojnë me raste konkrete të abuzimit me territorin. Pjesa më e madhe e denoncimeve kanë të bëjnë me godina të ngritura në mënyrë të paligjshme, por nuk mungojnë rastet kur në vend të mungesës së lejes, denoncohet mungesa e kushteve higjenike, sic është rasti I kësaj ndërtese në rrugën Xhanfize Keko, pranë ish-profarmës në Tiranë. Në plazhin e Pishave të Buta në Golem, cfarë është krijuar pa leje është një mol. Ndërsa në rrugën “Medar Shtylla” të kryeqytetit, denoncohet jo godina, por antenat mbi të. Sipas kujt ka bërë senjalizimin, prej 5 vitesh rrezatimi i tyre kancerogjen ka bërë që 4 banorë të rezultojnë me tumor, ndërsa dy prej tyre kanë vdekur. Kjo godinë u prish pjesërisht nga zgjerimi i rrugës së Elbasanit, në kryeqytet, por pronari duket se hapësirën e humbur në gjerësi ka vendosur ta rekuperojë në lartësi, duke e kthyer godinën nga dy në 4 katëshe. Në rrugën “Ali Demi”, pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, bashkë me godinën denoncohet edhe mungesa e edukatës së banuesve të saj, të cilët fqinjve që ankohen për zhurmën e madhe u sugjerojnë të mbyllin dritaret në piskun e vapës. Tirana dhe Vlora mbajnë rrekordin e denoncimeve. Zona e Ujit të Ftohtë duket më e prekura nga denoncimet e qytetarëve. Ndonëse është i PS-së, në shumë raste kryebashkiaku i qytetit bregdetar përmendet direkt nga denoncuesit.Në rrugën “Hasan Kushta” ku sheshi mes dy pallateve është mbyllur me postbllok dhe është kthyer në parkim makinash.““Rrënimi Gjika” nuk do t’ia di fare për ne që e votuam”, shkruan denoncuesi, ndërsa ia bën haram votën.  Një tjetër foto tregon se cfarë ka mbetur nga lulishtja përballë teatrit “Petro Marko” në Vlorë. Dy pallate kanë zëvë vendin e plepave 70-vjecarë. Në oborrin e shkollës publike “Ali Demi”, një lokal druri ka dy muaj që po betonohet. Po kryebashkiaku pse e lejon?- pyet qytetari që ka bërë denoncimin. Përgjigjen tenton ta japë vetë: Ndoshta kërkon që partia ta largojë sa më shpejt, që të jetojë në ndonjë pikë të globit. 

/abcnews/