Nga Gjergj Thanasi
DURRËS, 5 janar 2015 – Pa kaluar një orë nga fjalimi propagandistiko-glorifikues i Ministrit Tahiri në analaizën vjetore Tirana u shndërrua në një skenë, ku po luheshin episode të filmave të hollivudit me pistolero e me “Fast and Furious”. Në tre episode të ndryshme u përdorën arëmt e zjarrit nga pistoleta Glock 19 te kallashnikovi, Scorpioni e pushka sulmuese e markës FANAL. Bilanci paraprak është të paktën 4 të plagosur ndër to edhe një polic në krye të detyrës dhe një i vrarë. Gjeografia e përleshjeve me armë shkon nga Rruga e Kavajës në zemër të Tiranës, te Qafa e Kasharit, ku me urdhër të kryeministrit Rama po mbillen palma e po vendosen ndricues modernë. Kjo valë krimi na mundëson të themi në mënyrë figurative se kemi një fasadë me drita e me palma dhe një thelb me gëzhoja plumbash e me gjak. Ndër të plagosurit e kësaj nate të hëne është edhe Emiljano Shullazi me një skedinë penale mjaft të pasur i përdoruru politikisht si nga e djathta për të prishur takimet elektorale të së majtës, por që nga vjeshta 2013 edhe nga e majta në pushtet. Sipas tabulateve telefonike të tij rezulton se nga skedat SIM në përdorim të z. Shullazi janë zhvilluar biseda telefonike me të paktën një ministër dhe një zv/ministër aktual.
Vlora e vitit 1997 ,nuk kishte ndonjë ndryshim të madh krahasuar me Tiranën e kësaj darke të së hënës. Thelbi ishte i njëjtë gjak, plumba dhe politikanë. Vetëm se kanë ndërruar personazhet. Nuk ka më Zan, Kakam e Dadam, por ka Emiljano ka edhe nip që as fal as harron ata, që i “difektuan” ashensorin e xhaxhait te grataçiela afër Hotel Sheratonit. Atëhere kishim Skënder Gjinush tani kemi Sajmir Tahir. i vetmi përmirësim është, që në Vlorën e vitit 1997 policët i vrisnin dhe i plagosnin, sonte në Tiranë vec e plagosën policin e shkretë.
Faktet janë kokëforte. Faktet nuk mund të falsifikohen si verërat me bojëra industriale, alkol e pa pikë lëngu rrushi. Jezu Krishti 2 000 e ca vjet më parë bëri mrekulli duke e shndërruar ujin në verë. Sot edhe ustallarë të rangut botëror si Alister Campbell-i nuk mund të bëjnë mrekulli dhe gjakun që rrodhi rrëke rrugëve të Tiranës nuk mund ta shndërrojnë në shampanjë për të ngritur dolli për sukseseset imagjinare të policisë shqiptare gjatë vitit 2014.
Sado të përpiqet ministri Tahiri t'u mbushë mendjen kolegëve euro-atlantikë minarja e krimit, madje dhe në zemër të Tiranës, nuk futet dot në thes.
Homologët e z. Tahiri krahas informacioneve, që marrin nga zoti ministër marrin info dhe nga njerëzit e tyre në Tiranë si psh. ish maratonisti dhe ish-atleti i vrapit me pengesa në Ambasadën Angleze në Tiranë, ai “Latino” i Rrugës së Elbasanit, nga ai “Shvabi” nëpunës i shkëlqesisë së tij, Helmutit gjerman apo siciliani vartës i “ Sig. Asmara-s” te ish Muzeu “Lenin-Stalin”.
Z. Rama vër dorë, se kriminelët pasi të vriten me njëri-tjetrin, do fillojnë të shkojnë në plumb edhe politikanët miq të rivalëve të tyre në botën e krimit. Vër dorë z. Krimo-ministër, se krimi mund të arrijë edhe në të dy anët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Vër dorë z. Kryeministër se krimi mund të vrasë edhe furnitorët me kokainë të VIP-ave të Tiranës. Vër dorë, se larg qoftë për mungesë furnitori do na kalojnë në krizë abstinence deputetë, ministra e kryebashkiakë.





