Tirana ka 1 milion banorë, 1 milion probleme, por dhe 1 milion mundësi. Kështu ka deklaruar sot kryebashkiaku i Tiranës, teksa ka prezantuar projektet e zhvilluara brenda harkut kohor të një viti që ai është zgjedhur në këtë detyrë.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se më shumë se një vit më parë, po zhvillohej fushata elektorale dhe po skanoheshin problemet në çdo lagje të qytetit. Sipas fushatës së duhur që bënë, Veliaj tha se ashtu është bërë edhe puna.

“Përpara një viti, në këtë muaj, në këtë datë, ne të gjithë ishim në fushatë. Ishim dy javë përpara zgjedhjeve dhe po debatonim se si do ta bënim fushatën. Për të bërë një fushatë tipike; ne jemi më të mirë se ata. Apo për të bërë për herë të parë një fushatë ku do të skanohej për herë të parë për kanalizimet e hapura, për pusetat e prishura, etj. Ai ishte stili i fushatës që njerëzit donin. Ashtu siç bëmë fushatë, ashtu bëmë edhe punën.

Tirana ka 1 milion banorë, kjo do të thotë se ka edhe 1 milion probleme, kjo do të thotë se ka edhe 1 milion mundësi. Në qoftë se e shikojmë si një mision të pamundur, 24 njësitë që janë bashkuar në një bashki  të re të qytetit të Tiranës, një qytet nga 42 km katrorë, është sot në 1120 km katrorë, i rritur 30 për qind me popullsi, sigurisht që sfida është më e madhe”, u shpreh ai.

Qytetari nr. 1 i Tiranës falënderoi edhe 4 forcat politike që i dhanë atij besimin, Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim, PDIU-në dhe FRD-në.