Tiranë, 21 qershor 2014 Aldo Bumçi, ish-kryetari i PD së Tiranës, thotë se ndarja e kryeqytetit në 15 degë është zgjidhja e duhur. Kështu sipas tij elektorati do të jetë lehtësisht i kontaktueshëm dhe krerëve të çdo dege ju jepet autoriteti i duhur. Sipas Bumçit, nëse zgjedhjet e brendshme do të ishin bërë më shpejt, nuk do kishin pasur rezultatet pozitive që kanë sot. Ai tha se kontakti i parë me qytetarët nis të hënën për alternativën që demokatët do paraqesin për reformën territoriale.

Veç 11 minibashkive që do të jenë secila nga një degë, Kamza, Paskuqani, Vora dhe Kurora e Dajtit do të jenë 4 degët e tjera.

Tani që procesi po mbyllet në degët në rrethe dhe po nis ai në Tiranë, Bumçi thotë se u bë mirë që organizimi i partisë nuk nisi shpejt, por mori sipas tij kohën e  duhur.

“A ishim në të njëjtat raporte në shtator-tetor? Jo. Ishte pika jonë më e ulët. Sot jemi në të tjera pozita, njerëzit krahasojnë çfarë ka bërë qeveria, vlerësojnë ndryshe opozitën, por edhe produktin real të qeverisjes para 23 qershorit, nuk do kishim këtë flusk anëtarësimesh nëse do e kishim nisur më parë”,- vijoi ai.