22 janar 2015 – Tirana do të luajë në Niko Dovana sfidën e parë të fazës së tretë ndaj Apolonisë. Lajmi konfirmohet nga klubi bardheblu që bën të ditur se në pritje të rrëgullimit të fushës në Selman Stërmasi dhe Qemal Stafa, 24 herë kampionët kanë vendosur të luajnë në Niko Dovana në sfidën e parë për këtë vit kalendarik. Kështu, debutimi i Tiranës për pjesën e dytë të sezonit do të nisë larg shtëpisë, edhe pse pritet që mbështetja nga tifozët të mos mungojë edhe në Durrës, ku pritet debutimi i blerjeve të reja me fanellën bardheblu. Niko Dovana do të jetë mikëpritësi i kryeqytetasve vetëm për javën e parë pasi në të dytën Teuta do të luajë në shtëpi ndaj Vllaznisë. Në këtë mënyrë për sfidën ndaj Flamurtarit, Tirana duhet të mendojë një tjetër stadium për të zhvilluar ndeshjen.
Tifozët bardheblu do të kenë mundësinë të shohin skuadrën e tyre në kryeqytet në javën e 22 në sfidën ndaj Elbasanit, pasi skaudra të ketë luajtur një javë më parë me Lacin në transfertë. Deri në fundjavën e 14 shkurtit kur është e programuar sfida me Elbasanin, pritet që të dy stadiumet të kenë hapur dyert, me tapetin e blertë që do të jetë në kushtet ideale për zhvillimin e një ndeshjeje.





