TIRANE – Tirana ka prezantuar blerjet e reja për fazën e dytë të kampionatit kombëtar, Kategoria Superiore. Ato janë Fatmir Hysenbelli, Herbi Fortunat, Dario Xhuti dhe Eleandro Pema.
Në një konferencë për mediat, administratori i Tiranës, Salih Tagani dhe trajneri Alban Tafaj prezantuan blerjet e reja si dhe konfirmuan rinovimin e kontratës me Gilman Likën.
Vlen të përmendet fakti se talenti Hysenbelliu do të mbajë fanellën me numrin 7 te Tirana, ndërsa është huazuar nga skuadra e tij italiane e Barit, pasi drejtuesi e kësaj të fundit nuk kanë dashur të heqin dorë nga shërbimet e të riut shqiptar.
Sipas administratorit, Tirana u mundua që të bëjë një merkato të kujdesshme duke mos shpenzuar shifra marramendëse, por gjithsesi duke përforcuar grupin.
Administratori Tagani ka vlerësuar merkaton e bërë në janar, ndërsa ka konfirmuar objktivin e të tijve: vendi i dytë në Superiore, që do të thotë edhe pjesëmarrje në Kupat e Evropës. Kjo është e domosdoshme, duke ditur se bardheblutë e shohin veten jashtë Kupës së Shqipërisë që në raundin e dytë të saj, kur u eliminua nga Kukësi debutues në Superiore.
I pyetur nga gazetarët, për objektivat e tij në skuadër, Fatmir Hysenbelli deklaroi se objektivi i tij personal është të ketë një performancë të mirë, ndërsa objektivi i skuadrës është arritja e vendit të dytë në renditje dhe siç tha ai, edhe pretendimi për titullin.
“Jam krenar që bëhem pjesë e Tiranës, skuadrës më të titulluar në Shqipëri. Po ashtu, ndihem i lumtur që do të luaj në vendin tim, Shqipëri. Në këtë eksperiencë të re nuk kam aq objektiva personalë se sa të skuadrës, ku ky i dyti mbizotëron mbi gjithcka. Të gjithë së bashku të sigurojmë vendin e dytë në kampionat, në mënyrë të sigurtë, pastaj të eksplorojmë edhe mundësitë për fitimin e titullit. Pozicioni ku luaj? Mund të luaj si sulmues i majtë, por edhe i djathtë, njësoj është për mua. Këtë gjë e vendos trajneri.” – u shpreh talenti Hysenbelli.
Herbi Fortunat, i cili do të mbajë fanellën me numër 14 në skuadër, është dukur i lumtur për rikthimin në Shqipëri, kësaj here jo me Besën, por me Tiranën. “Premtoj gola për Tiranën. Falënderoj drejtuesit që më besuan dhe nënshkruan kontratën me mua. Tirana është ekipi më i madh në Shqipëri dhe këtë e tregojnë trofetë që ka fituar. Sa i takon këtij sezoni, ndoshta vendi i parë është i vështirë për t’u arritur, po të kemi parasysh diferencën në pikë me Skënderbeun, por vendin e dytë nuk duhet ta diskutojmë,” – ka pohuar Fortunat.
Aktualisht Tirana renditet në vend të tretë në kampionat me 22 pikë, një më pak se Teuta e vendit të dytë. Sipas Taganit, objektiv i klubit mbetet pjesëmarrja në Kupat e Europës, çka nënkupton arritjen e vendit të dytë në fund të sezonit.
Tirana mund të luajë në Ligën e Europës edhe nëse renditet e treta, mjaft që trofeu i kupës të fitohet nga njëra mes dy skuadrave që renditen në dy vendet e para: Skënderbeu ose Teuta. “Djemtë e detit” janë thuajse të eliminuar, ndaj shanset reale i ka vetëm skuadra korçare. Sidoqoftë, për të qenë më se të sigurt, te Tirana duan me patjetër vendin e dytë në renditje.