Policia e Tiranës ka bërë publike një sërë veprimesh të ndërmarra në 24 orët e fundit, përfshirë arrestime për dhunë në familje, aksidente rrugore dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Gjithashtu, janë regjistruar dy ngjarje të rënda me fëmijë, një 2-vjeçar holandez ka rënë nga kati i tretë i një hoteli në Rinas, ndërsa një 16-vjeçare dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh në banesën e saj. Të dy ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. D., 40 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mashtrimi”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. Sh., 60 vjeçe, J. Sh., 29 vjeç, Y. Sh., 34 vjeç, M. N., 52 vjeçe dhe M. N., 21 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 49 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 43-vjeçar.
Specialistët e qarkullimit rrugor vunë në pranga shtetasit:
-A. M., 27 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur në bulevardin “Migjeni”, këmbësorin, shtetasin O. D., 66 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve;
-B. Sh., 51 vjeç dhe J. H., 31 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur;
-A. M., 20 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 20 ditë burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në menyrë të parregullt”.
Më datë 22.05.2025:
-ka rënë aksidentalisht, nga kati i tretë i hotelit në Rinas, ku qendronte së bashku me prindërit, një 2-vjeçar holandez. Aktualisht 2-vjeçari është në kujdesin e mjekëve;
-dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh, në banesë, një 16-vjeçare. Ajo është në kujdesin e mjekëve.
Grupe hetimore po punojnë për dokumentimin e rrethanave të të dyja rasteve.





